Mustafa: Gjykata Speciale Mund të Votohet Javën e Ardhshme

Qeveria e Kosovës do ta mbajë një mbledhje pas pak çastesh, në orën 13:00.

Duke folur paradite para gazetarëve, Mustafa tha se kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë do të hedhet sot në shqyrtim në qeveri.

“Ne sot nuk mund ta aprovojmë përfundimisht ligjin në Qeveri sepse nuk janë bërë ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe këtë ne do ta kthejmë në ditën që trajtohet ndryshimet kushtetuese, dhe do të kryejmë procedurat ligjore. Deputetët duhet ta kenë ndryshimin e ligjit dhe në të njejtën ditë do të procedojmë me  tekstin definitiv që do të jetë i njejtë me atë që sot do u dërgohet deputetëve për arsye formale”, tha Mustafa.

Mustafa tha se pret që Gjykata Speciale të dalë për shqyrtim para deputetëve në Kuvend pas një jave.

“Ne sot do të marim vendim të Qeverisë që të ua përcjellim për njoftim deputetëve të Kuvendit tekstin e ligjit për dhomat e veçanta dhe prokurorinë speicale, ndërsa planifikojmë që javën e ardhshme, po mundohemi të koordinohem që ditën e premtë me datën 26 të këtij muaji ta trajtojmë në Kuvend por Kuvendi do e caktojë datën nuk mund të them se është definitive”, tha Mustafa.

Duke folur për takimin në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, Mustafa tha se në atë takim do të diskutohet për Urën e Ibrit, çështjet e energjise, telekomin (kodin telefonik) dhe çështjet e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.