Protesta Ashtu si po Ndodh

15:41

Përleshjet mes policisë dhe protestuesve tani janë zhvendosur te vendi i quajtur “Tre Sheshirat” në Prishtinë.

14:06

Protesta është zgjeruar nëpër të gjitha rrugët anësore që çojnë në qendër të Prishtinës.

Policia e ka të vështirë t’i kontrollojë protestuesit e shpërndarë nëpër shumë rrugë. Raportohet për disa policë të lënduar.

13:26

Policia e Kosovës e ka arsyetuar intervenimin e vet ndaj protestuesve në protestën e sotme.

Sipas policisë, pas fjalimeve nxitëse nga ana e organizatorëve, një grup prej disa protestuesve kanë filluar të sulmojnë policët.

“Rreth orës 12:45 minuta, pas fjalimeve nxitëse nga ana e organizatorëve, një grup prej disa protestuesve kanë filluar të sulmojnë policët duke hedhur gjësende të ndryshme, mjete të forta, mjete piroteknike në drejtim të njësiteve policore, të cilat detyrimisht janë dashur të intervenojnë për t’i parandaluar sulmet e tilla, duke përdorur mjetet policore të ligjshme”, thuhet në komunikatën e policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës u bën thirrje protestuesve që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve.

13:24

Policia intervenon sërish në shesh.

12:59

Policia zgjeron rrethin e barrikadës. Protestuesit ulen në shesh, para kordonit të policisë.

12:48

Eskalon protesta. Policia hedh gaz lotsjellës ndaj protestuesve.

12:45

Filloi një përplasje ndërmjet policisë dhe protestuesve.

12:43

Donika Kadaj: Do të jemi bashkë që ta mbrojmë kauzën, nderin dhe Trepçën.

Donika Kadaj: Protestat nuk do të ndalen. Do të jemi gjithmonë bashkë, më shumë, më unikë.

12:35

Ndërkohë që protestuesit i kanë dhënë ultimatum policisë për t’i larguar rrethojat, njësitet policore i janë afruar edhe më shumë këtyre rrethojave që janë vënë sot në mëngjes e që i ndajnë protestuesit nga policia dhe ndërtesa e qeverisë.

12:22

KALLXO.com është duke bërë transmetimin e drejtpërdrejtë të protestës së organizuar nga Lëvizja vetëvendosje në sheshin kryesor të Prishtinës.

Dardan Molliqaj nga Vetëvendosje mori fjalën i pari në protestë.

“Kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Jabllanoviqit dhe kthimin e Trepçës në ndërmarrje publike”, tha Dardan Molliqaj.

“Nuk lejojmë të rrethohemi sepse nuk jemi egërsira, por jemi qytetarë të Kosovës”.

“Kemi organizuar kujdestarë për t’i mbrojtur objektet e qeverisë”.

“I japim ultimatum policisë që për 15 minuta t’i largojnë rrethojat”, tha Molliqaj.