Thaçi: Nuk Do Të Ketë Bisedime Për Trepçën

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka thënë se për “Trepçën”, nuk do të diskutohet me asnjë vend tjetër pasi që, siç u shpreh ai, “Trepça” është pasuri e Kosovës.

“Nuk do të jetë kjo çështje që do të diskutohet me ndonjë vend tjetër sepse tek e fundit kjo është pasuri e Kosovës”, tha Thaçi gjatë konferencës së përbashkët me ministri e Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz.

Serbia ka kërkuar që çështja e Trepçës të trajtohet në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që pritet të fillojnë muajin e ardhshëm në Bruksel.

Ai tregoi se dje është nxjerrë një ligj i veçantë në Kuvendin e Kosovës me të cilin është shpëtuar Trepça nga falimentimi.

Sipas tij, është fituar edhe kohë që bashkërisht me ekspertë ndërkombëtarë ta nxjerrin një legjislacion adekuat.

“Realisht në këtë legjislacion e kemi shpëtuar nga falimentimi Trepçën ndërsa kemi fituar edhe në kohë që bashkërisht me ekspertë edhe ndërkombëtarë të nxjerrim legjislacionin adekuat që do të stabilizon atë që kombinat dhe në të njëjtën kohë do të jetë profitabil edhe për Kosovën”, u shpreh Thaçi.

Dje në Kuvendin e Kosovës është miratuar Ligji për riorganizimin e Ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurinë e tyre, me qëllim që të shmanget likuidimi i ndërmarrjes “Trepça”.