Refuzohet Projektligji për Përgjimet Elektronike

Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane ka refuzuar sot Projektligjin për Përgjimet Elektronike i cili është kthyer prapë në qeveri për rihartim.

Këtë e ka konfirmuar deputeti Ilir Deda, i cili është anëtar i këtij komisioni.

“Sapo e përfunduam mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës ku unanimisht e refuzuam projekt-ligjin për përgjimin e komunikimeve elektronike, dhe vendosëm që të e kthejmë mbrapa në Qeveri. S’ka totalitarizëm”, ka shkruar deputeti nga Vetëvendosje, Ilir Deda.

Projektligji ishte sponsorizuar nga Ministria për Integrime Evropiane.

Në një intervistë për emisionin Jeta në Kosovë, të enjten e kaluar, ministri për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku kishte folur për këtë projektligj duke thënë se “askush nuk do të përgjohet pa një vendim të gjykatës.

“Asnjëherë qëllimi i këtij ligji nuk ka qenë të krijojë shtet policor apo që të cenohet privatësia e ndonjë qytetari të Republikës së Kosovës”, kishte thënë ministri Çollaku.