Isa Mustafa i Matur për Deklaratën e Pamatur të Jabllanoviqit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, e ka cilësuar të pamatur deklarimin e ministrit të kabinetit të tij, Aleksander Jabllanoviq, i cili i quajti si “egërsira” protestuesit në Gjakovë.

“Ne kemi vlerësuar si të pamatur deklaratën e ministrit Jabllanoviq për protestat në Gjakovë. Por po ashtu e kemi parasysh se ministri e ka sqaruar deklaratën dhe pozicionin e tij publikisht”, tha kryeministri Mustafa gjatë një konference për medie të premten.

“Unë mendoj që ne duhet të kemi respekt të veçantë ndaj familjeve të njerëzve të pagjetur. Dhe këtë respekt e kam edhe unë, e ka edhe Qeveria e Kosovës. E kam këtë respekt, sepse konsideroj se me të pagjeturit nuk fillohet nga Gjakova, për fat të keq, ne tragjeditë e të pagjeturve i kemi tragjedi historike”, ka shtuar Kryeministri.

Sipas Mustafës, urrejtja nuk është zgjidhja e problemeve, por krijimi i urave për paqe.

“Ne nuk mund ta zhvillojmë këtë vend përmes urrejtjes. Ne këtë vend duhet ta zhvillojmë përmes krijimit të urave të paqes, bashkëpunimit dhe jo përmes armiqësive. Unë e kam lut edhe opinionin, edhe ata që sot po bëjnë fushata, që të ulemi dhe të mendojmë, sepse këtij vendi i nevojitet kohë për qetësi, kohë e bashkëpunimit, kohë për integrime”, deklaroi ai.

“Kjo që po bëhet nuk është respekt ndaj grave të Gjakovës dhe atyre të të pagjeturve në Gjakovë. Respekti është që ne të krijojmë kushte që të pagjeturit e tyre të kthehen”, shtoi më tej Kryeministri.

Ai ka folur edhe për deklaratat e kryeministrit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili para dy ditësh, gjatë një vizite në Kosovë, tha se Kosova është tokë e Serbisë.

Sipas kryeministrit Mustafa, toka i takon atij që e shfrytëzon, duke shtuar se askush nuk ka nevojë të kërkojë leje për të hyrë në Kosovë, të cilën gjë e kishte bërë kryeministri serb, Vuçiq.

“Toka i takon atij që e shfrytëzon. Ai që merr leje për të hyrë në këtë tokë nuk mund t’i shpallë këto toka se janë të tij. Kryeministri i Serbisë ka hyrë në Kosovë me lejen e autoriteteve të Republikës së Kosovës. Kurrkush nuk kërkon leje për të hyrë në tokën e vet. Por ka kërkuar leje për të hyrë këtu, sepse ky vend i takon Republikës së Kosovës. Ky vend është i shpallur si shtet sovran dhe i pavarur”, është përgjigjur kryeministri Mustafa.

Mustafa tha se Kryeministri i Serbisë i ka vizituar bashkatdhetarët e tij me lejen e institucioneve të Kosovës dhe kjo nuk i përkeqëson marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.