Shkarkimi i Jabllanoviqit Kërkohet Edhe Nga Pejanët
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e cilësoi sot si “të pamatur” deklaratën e ministrit në qeverinë e tij, Aleksandar Jabllanoviq të bërë javën e kaluar, por për qytetarët e Pejës kjo nuk mjafton.
Ata duan largimin e Aleksandar Jabllanoviqit nga pozita e ministrit për Kthime dhe Komunitete.
Jabllanoviq, më 7 janar i kishte quajtur “egërsira” gratë e Gjakovës të cilat nuk lejuan besimtarët serbë ta vizitojnë kishën në Gjakovë me rastin e festës së Krishtlindjeve ortodokse dhe kjo ka ngjallur reagime nga qytetarët.
Një grup qytetarësh janë mbledhur sot në qendër të Pejës në “Sheshin e Heronjve” me parulla në të cilat kërkohej shkarkimi i Jabllanoviqit nga pozita që mban në qeverinë e Kosovës.
Adnan Hysenaj, njëri nga organizatorët e protestës, pasi e shpalli të hapur atë, ftoi qytetarët që t’u bashkohen të mbledhurve.
Gjatë protestës foli edhe Veton Mujaj nga organizata “Syri i Vizionit”
“Nuk duam ministër si Jabllanoviqi në qeveri”, tha ai.
Para gjashtë ditësh kundër deklaratës së Jabllanoviqit protestuan edhe gjakovarët.