LDK e Vetëvendosje Përplasen Për Ndërmarrjet Publike të Prishtinës

Ai thotë se subjekti i tij nuk ka përgjigje as nga komisioni i aksionarëve e as nga Kuvendi Komunal mbi rezultatet e punës së tyre, dhe sipas tij duke marrë parasysh se punët brenda komisioneve të aksionarëve dhe bordit të drejtorëve përbëjnë shkelje të rënda ligjore ky subjekt kërkoj mbledhje të jashtëzakonshme.

“Është bërë shkarkimi pa evaluim të punës dhe pa korrigjim të planeve të biznesit i anëtarëve thjeshtë arbitrarisht, politikisht” u shpreh Hamiti

E kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, thotë se ligji e obligon secilën ndërmarrje që të raportojë dhe raportet do të bëhen.

Ahmeti tregoi për problemet me menaxhimin e ndërmarrjeve publike, duke thënë se këto janë probleme të trashëguara nga pushteti i kaluar pasi që, sipas tij, LDK kishe vënë në pozita familjarë jo kompetentë për kryerjen e punëve.

“Në çdo fillim të muajit Abdullah Haxhiu na e mshel deponinë në Mirash sepse ky njeri nuk din me menaxhu ndërmarrjen. Në ndërmarrjen Termokos kemi dy letra nga KFV (bankë gjermane) ku thotë se nëse komuna e Prishtinës e cakton edhe njëherë një drejtor jo kompetent asnjë cent nuk e keni nga Qeveria Gjermanë”, thotë Ahmeti.

Edhe asambleistët e tjerë nuk e kishin të qartë se për çfarë janë ftuar në seancë.

Lirak Çelaj nga Partia Demokratike e Kosovës propozoi që të mbyllet seanca pasi që i gjithë diskutimi sipas tij kishte kaluar në thashetheme.

Nga ana tjetër, Sami Hamiti nga LDK mori fjalën edhe njëherë duke bërë kërkesën e tij para Kuvendit të Prishtinës.

“Grupi i LDK-së bën kërkesë që në seancën e parë të rregullt apo kërkesë decidive është që pas shtatë ditësh komisionet e aksionarëve të bëjnë raporte të detajuara këtij kuvendi”, u shpreh ai.

Kur Lëvizja Vetëvendosje po bëhej gati për ta lëshuar sallën  Kryesuesi i Kuvendit Komunal Halim Halimi kërkoi vota nga të pranishmit për t’i pezulluar vendimet e aksionarëve në afat prej shtatë ditësh deri në raportim, por kjo pikë nuk ishte diskutuar në fillim gjë që nervozoi kryetarin Ahmeti.

Pas seancën Ahmeti ftoi gazetarët në një konferencë ku tha se e gjithë ky aktivitet ka qenë i planifikuar nga vetë Sami Hamiti e jo nga LDK .

“Gjatë këtyre ditëve Sami Hamiti ka bërë presion të madh te asambleistët duke i thirrë në telefon dhe duke u thënë bëhu i sëmurë të mos vijë në mbledhje”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha se raportimet ishin paraparë për t’u bërë në mars dhe se ato do të jenë të gatshme shumë shpejt.