Përfundon Seanca e Parë e Gjykimit të Gani Gecit

Pasi Gani Geci u deklarua se si ndihej në lidhje me akuzat me të cilat ngarkohet, përfundoi seanca e parë e këtij gjykimi.

Seanca e radhës e rastit Geci u caktua më 13 shkurt.

11:12

Gani Geci Nuk e Pranon Fajësinë për Vrasje

Gani Geci nuk e pranoi fajësinë vrasje të rëndë- pikën e parë të aktakuzës, por e konsideroi veten të fajshëm për armëmbajtje pa leje, veprën e dytë penale me të cilën ngarkohet.

Geci pati vërejtje lidhur me cilësimin që i është bërë pikës së parë të aktakuzës.

Edhe Ndrec Dodaj, avokati mbrojtës i Gani Gecit tha se arsyeja pse klienti i tij nuk pranoi veprën penale vrasje e rëndë është vetëm cilësimi i rastit dhe rrethanave se si ka ndodhur rasti.

Ai tha se deri në vitin 2014 ka pasur armë me leje, por në kohën që akuzohet se qëlloi drejt Ruzhdi Shaqirit nuk kishte leje për mbajtje të armës.

10:34

Nis Gjykimi i Gani Gecit

Kryetarja e trupit gjykues Kada Bunjaku-Përçuku ka filluar seancën kundër Gani Gecit.

Aktualisht prokurorja Vahide Badivuku është duke lexuar aktakuzën.

9:53

Nën Masa të Rrepta Sigurie Pritet të Nisë Gjykimi i Gani Gecit

Policia e Kosovës që nga ora tetë e mëngjesit është vënë në lëvizje për të siguruar ambient të qetë e të sigurt për gjykimin e Gani Gecit që pritet të nisë në orën 10:00.

Gjykimi do të mbahet në Gjykatën Themelore të Mitrovicës me seli në Vushtrri.

Policia ka ndaluar qarkullimin për vetura në të gjitha rrugët që çojnë drejt gjykatës, në një largësi së paku 50 metrash nga gjykata.

Gani Geci akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në qendër të Skenderajt më 4 gusht të vitit të kaluar.

Aktakuza e cila është siguruar nga KALLXO.com shpjegon se Geci qëlloi Shaqirin në një gjendje të “tronditjes së fortë mendore”.

Geci u arratis për dy javë pas të shtënave të 4 gushtit, ndërsa u dorëzua më 22 gusht në “duart” e Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit.