Aktakuzë me Shtatë Pika të Pandehurve për Vrasjen e Enver Zymberit

Aktakuza kundër Sovrliqit e Kasalloviqit është e përbërë nga shtatë pika.

Të dy akuzohen për  vrasje të rëndë, tentim të vrasjes së rëndë, mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve, sulm në personin zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, rrezikim i trafikut të përgjithshëm, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe pjesëmarrje në grup që ka kryer vepër penale.

Kryetari i trupit gjykues Paulo Teixeira, pasi i njoftoi të pandehurit me të drejtat e tyre, i pyeti ata se a ndihen fajtorë për shtatë pikat e aktakuzës.

Sovrliq e Kasalloviq theksuan se ndihen plotësisht të pafajshëm.

Një proces tjetër gjyqësor ku po për vrasjen e Enver Zymberit akuzohen Radovan Radiq dhe Millovan Vllashkoviq nisi në nëntor.

Prokurorja Nita Amin kërkoi nga kryetari i trupit gjykues që dy lëndët për këtë vrasje të bashkohen në një.

Paulo Teixeira i pyeti edhe palët tjera në procedurë se a pajtohen për këtë bashkim.

Miodrag Brklaq, avokat mbrojtës i Radomir Kasalloviqit tha se mbështet në tërësi bashkimin e lëndëve, ndërsa kolegu i tij Dobrica LLaziq që mbron Sllobodan Sovrliqin tha se nuk mund të japë mendim për këtë gjë, pa e ditur se deri ku ka shkuar procesi në lëndën tjetër.

Kryetari i trupit gjykues Teixeira bëri me dije se derisa në procesin kundër Sovrliqit e Kasalloviqit po mbahet seanca e parë dëgjimore, në gjykimin tjetër kjo seancë ka përfunduar.

Sipas tij, bashkimi i këtyre procedurave nuk mund të bëhet derisa të dyja të arrijnë në fazën e njëjtë.

Seanca e radhës për të dy proceset u caktua më 19 janar, ndërsa në të pritet të bëhet bashkimi i lëndëve.

Përveç katër personave që po akuzohen për vrasjen e Enver Zymberit, me fletarrest ndërkombëtar po kërkohen edhe dy persona tjerë.