Grupi Drenica- Lirim me Dorëzani. Sami Lushtaku Ofroi 50 Mijë Euro

Lajmin për lirimin me dorëzani të Sami Lushtakut e konfirmoi për KALLXO.com, avokati i tij Arianit Koci. Ai tha se për lirimin e klientit të tij u dhanë si garanci 50 mijë euro.

”Është aprovuar kërkesa ime. Gjykata e ka aprovu të njëjtën edhe për të tjerët, ndërkaq vlera që ne kemi ofruar është 50 mijë euro”, tha Koci.

Ai te tjerët futi Sylejman Selimin, Jahir Demakun dhe Sahit Jasharin.

Lirimin nga paraburgimi të Sylejman Selimit e bëri të ditur Tomë Gashi njëri nga avokatët e tij.

“Z.Sylejman Selimi sot përfundimisht është liruar nga paraburgimi me vendim të gjyqtarëve të EULEX-it, të Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Me vendim të njëjtë janë liruar edhe bashkëluftëtarët e tij”, tha Gashi.

Më 10 tetor qenë liruar nga paraburgimi edhe Ismet Haxha e Avni Zabeli, ndërsa Sabit Geci i akuzuar në këtë grup, në të njëjtën kohë është duke vuajtur një dënim tjetër.

Nëpërmjet dorëzanisë u liruan edhe Isni Thaçi dhe Zeqir Demaku të akuzuar në rastin e njohur si “Drenica 2”.

Sipas Artan Qerkinit, avokatit të Isni Thaçit të dy këta të akuzuar paguan si kaucion nga 20 mijë euro.

“Po, edhe klienti im është liru me masën e kaucionit prej 20 mijë eurove”, tha Qerkini.

Lirimin me dorëzani nga paraburgimi për gjashtë të akuzuarit e konfirmoi edhe EULEX-i me anë të një komunikate.

Në të thuhet se të akuzuarve do t’u konfiskohen të gjitha dokumentet e udhëtimit. Atyre nuk do t’u lejohet të kontaktojnë me asnjërin nga dëshmitarët. Nuk do të kenë të drejë të bëjnë deklarata publike, fjalime të çfarëdo lloji dhe as të afrohen në ndonjë vend ku janë të mbledhur më shumë se 10 persona.