12 Vjet Burg për Natali Veliajn

I akuzuari i dytë në këtë rast, Fisnik Blakaj, është dënuar me 11 vjet burg dhe 25 mijë euro gjobë.

Gjykata gjithashtu e ka urdhëruar Natali Veliajn dhe Fisnik Blakajn që së bashku t’i kompensojnë kompanisë OeSD shumën prej 1.4 milion euro.

Veliajt me urdhër të gjykatës do t’i konfiskohet edhe banesa e blerë.

Betim Blakaj dënohet me tetë vjet burg dhe 10 mijë euro gjobë, ndërsa Ergyn Dogani me tetë vjet burg. Dënimi prej 5 vjetësh burg dhe 8 mijë euro gjobë iu shpall Ymer Fazlisë.

Gjykata gjithashtu dënoi Nazmi Thaçin me 4 vjet burg si dhe Jakup Blakçorin e Sefedin Shalën me nga 1 vit burg.

Natali Velija akuzohej për krim të organizuar, shpëlarje parash, mashtrim, shmangie nga tatimi dhe keqpërdorim të besimit, të gjitha këto akuza të ndërlidhura me kontratën për prodhimin e pasaportave biometrike, të lidhur mes kompanisë austriake OeSD dhe MPB-së.

Për dy akuzat e para po gjykohej edhe Fisnik Blakaj.

Për krim të organizuar, shpëlarje parash dhe shmangie nga tatimi ngarkoheshin edhe Ergyn Dogan, Ymer Fazlia dhe Nazmi Thaçi. Për shmangie nga tatimi akuzohen edhe Hashim Shala e Jakup Blakqori. Mbi Blakqorin rëndonte edhe akuza për pranim të mallrave të vjedhur.

Ergyn Dogan ka themeluar kompaninë “Qeramika”, Jakup Blakqori figuron si përfaqësues fizik i kësaj kompanie. Nazmi Thaçi është menaxher i kompanisë “Construction beton”, Ymer Fazlia është përfaqësues fizik i firmës “Ron Ing”, ndërsa Hashim Shala ka të regjistruar në emër të tij kompaninë “Pirro”.