“Mashtrim dhe Dështim”-Fjalët e Lekajt për Qeverisjen e Kusari-Lilës

Pal Lekaj, kryetari i Degës së AAK-së në Gjakovë, në konferencën për medie me Temën “Një Vit i Qeverisjes Lokale” kritikoi ashpër qeverisjen komunale të drejtuar nga Mimoza Kusari-Lila.

Mashtrim dhe dështim- këto janë dy fjalët kyçe që karakterizojnë qeverisjen Kusari- Lila – Gola dhe Beqa, tha Pal Lekaj në konferencë.

Te tre personat që Lekaj i përmendi për qeverisje të keqe, ishin kundërkandidatë të tij në zgjedhjet lokale të vitit të shkuar për kryetar të komunës. Luan Gola garoi për LDK-në, Kusari-Lila për AKR-në dhe Hajdar Beqa për PDK-në.

Atë garë e fitoi Kusari-Lila, ndërsa AKR-ja bashkë me PDK-në e LDK-në qeverisin që një vit Gjakovën.

Lekaj më pas përmendi premtimet e pushtetit lokal të drejtuar nga Kusari-Lila që tha se nuk janë mbajtur.

“Pat premtuar shkurtimin e drejtorive nga dymbëdhjetë në nëntë, pati premtuar ekspertë të fushave të ndryshme që do të punojnë në kabinetin e saj dhe prapë ishte një mashtrim i zonjës Kusari-Lila”, tha Pal Lekaj.

Ai u mor edhe me premtime tjera. Tha që Kusari-Lila nuk ktheu as të rinjtë e shkolluar jashtë vendit.

“Pati premtuar kthimin e trurit të Gjakovës mbi 5000 sa i quajti me profile të caktuara. Pati premtuar një qeveri të ekspertëve dhe që në muajin e dytë u ballafaqua me suspendim të ekspertëve për korrupsion, për mitmarrje, për mashtrim të faturave”, shtoi Lekaj.

Kusari-Lila suspendoi në qershor tre zyrtarë komunalë, pasi kundër tyre Prokuroria Themelore e Gjakovës ngriti aktakuzë.

Lekaj porositi kryetaren e Gjakovës që propagandën ta zëvendësojë me një model pune, ndërsa ia kujtoi atë që duhet ta arrijë një zonë e lirë ekonomike.

Sipas tij, kjo zonë ka për qëllim të ofrojë infrastrukturë më të mirë për bizneset e vogla dhe të mesme, kushte më të mira për prodhuesit që kanë për qëllime eksportet, si dhe lehtësira për këto lloje të bizneseve.

Ai akuzoi qeverisjen e Kusari-Lilës se ka rritur taksat, ndërsa të hyrat e tashme po i krahason me të hyrat e komunës së drejtuar nga AAK-ja, kur tha se tatimet ishin më të ulëta.

“Krahasimi qesharak-qeveria lokale në vazhdim raporton për të hyrat komunale nga taksat dhe tatimet e rritura prej saj, me të hyrat komunale nga taksat dhe tatimet e ulëta të qeverisë së mëparshme”, tha Lekaj.

Lekaj akuzoi edhe Armend Vokshin, drejtorin e tashëm të Administratës “për vjedhje në Kuvendin Komunal në bashkëryerje me djalin e dajës së tij”.

Kur kryetarja Kusari-Lila u pyet për akuzat e Lekajt ndaj Armend Vokshit, pyetjes iu përgjigj po me pyetje.

“Subjekti politik i ish-kryetarit a e pastroi partinë prej fajdexhinjve, reketuesve dhe kriminelëve ?” tha Kusari-Lila.

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, para katër ditësh mblodhi strukturat e partisë në Prishtinë, duke u zotuar se do ta pastrojë partinë e tij pikërisht nga këto dukuri.