Nisma e Shabanit Shpërfaq Gjendjen e Vështirë të Gazetarëve

Zekeria Shabani, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës akuzon Sejdi Demirin, pronarin e Gazetës “Tribuna” për sulm fizik ndaj tij.

Shabani thotë se rreth orës 12:00 ishte ftuar në takim nga Demiri.

“M’ka sulmu, ke tu më mbyt, ke tu ma zanë frymën. Më kapi për fyti e më shtyu në zyrën e tij. Kam hap rast në Polici për kanosje”, shprehet Shabani. 

Ai thotë se e gjithë kjo u bë pasi që ai refuzoi të nënshkruajë shkëputjen e kontratës së punës në këtë gazetë.

“Sot  më ka thirrë pasi që e ka një vendim për shkëputje të kontratës aty për aty, që është në kundërshtim me Ligjin e Punës. Unë kam refuzuar ta nënshkruaj dhe pastaj ndodhi  sulmi “, shton Shabani.

Ky rast ndodhi vetëm katër ditë pas paralajmërimit publik të Shabanit se do të padisë Gazetën “Tribuna” për shkak të vonesës së pagës.

Ndërkaq, Demiri thotë se deklarimet e Shabanit janë shpifje.

“Shpifje e rëndë. Krejt çka kam bërë është njoftimi që Zekirja Shabanit i shkëputet marrëdhënia e punës. Ky njoftim ka shkaktuar reaksion te zoti Shabani, i cili është sjellë në mënyrë të vrazhdë dhe ka fyer rëndë. Ka pasur bërtita, por asnjëherë kontakt fizik mes nesh”, u shpreh Demiri.

Ai thotë se ai nuk është njoftuar për ndonjë denoncim në polici dhe sipas tij e gjithë kjo është një tjetër shpifje në vazhdën e shpifjeve ndaj mediumeve në përgjithësi, e kohëve të fundit ndaj Gazetës  “Tribuna”.

Ndërsa Arben Ahmeti,  kryeredaktor i Gazetës “Tribuna” thotë se nuk e di se çfarë ka ndodhur pasi që nuk ishte në mbledhjen e redaksisë.

“Nuk kam qenë në mbledhje, Zekeriaja thotë se është sulmuar, ndërsa Sejdiu po thotë që nuk e ka sulmuar”, u shpreh ai. 

Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

AGK-ja nëpërmjet një kumtese për media ka kërkuar nga organet e rendit që ta ndriçojnë sa më parë këtë rast dhe që sulmuesi të vihet para drejtësisë.

“AGK-ja konsideron se në një vend ku sulmohet kryetari i zgjedhur i komunitetit të gazetarëve, njëherësh redaktori i një gazete, për shkak të ngritjes së zërit ndaj padrejtësive që i bëhen në vendin e punës, dëshmon për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen gazetarët dhe për shkeljen e të drejtave të tyre njerëzore e profesionale në Kosovë”, thuhet në kumtesë.