Zyrtarët që Shkelin Ligjin Kundër Duhanit të Dihen me Emra

Në një tryezë të mbajtur në Prishtinë, kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Koalicionit Antiduhan dhe inspektorë nga rajonet kryesore të Kosovës,

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, theksoi nevojën e një koordinimi më të mirë midis institucioneve të nivelit qendror dhe lokal për zbatimin më të mirë të ligjit , duke ushtruar përgjegjësitë secili institucion, që është pjesë e zbatimit të tij.

Duke iu referuar një hulumtimi të KADC lidhur me nivelin e zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit në vend, ministri Agani tha se “është evidente se përkundër sukseseve të këtij ligji, disa hallka të zbatimit të tij, nuk janë treguar shumë të përgjegjshme”.

Ministri tha se është koha që opinion kosovar të di publikisht cilat janë ato institucione dhe ata individë e figura publike që e shkelin ligjin, cilët janë ato subjekte që shpërfillin ligjin, pasi që, këto çështje duhet të jenë pjesë e diskutimeve, duke e ditur rëndësinë e tij.

Ministri Agani tregoi se ka emëruar Koordinatorin Nacional për Kontrollin e Duhanit, si një përgjegjësi për të ngritur më tej nivelin e angazhimeve për koordinimin e veprimeve për zbatimin e këtij ligji.

Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, duke vlerësuar se zbatimi i këtij ligji është i një rëndësie jetike, theksoi tre elemente të rëndësishme në zbatimin e tij: përkrahjen politike, inspektimet e vazhdueshme dhe ngritjen e ndërgjegjësimit të popullatës.

Për aktivitetet e ndërmarra nga Inspektorati Sanitar ka folur drejtoresha e këtij inspeksioni, Ilirjana Zymberaj, ndërsa Koordinatori Nacional për Kontrollin e Duhanit, Faik Hoti, ka prezantuar aktivitetet në proces nga ana e Ministrisë, si kryesuese e Këshillit Ndërministror për Kontrollin e Duhanit.

Drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, Xhelal Sfeçla ka folur për aktivitetet e kryera nga inspektorët komunalë të Prishtinës për zbatimin e ligjit në këtë komunë, ku u raportua për 146 vërejtje, 33 fletëparaqitje në gjykata dhe disa dënime të shqiptuara nga ky inspektorat gjatë ditëve të fundit.

Ai tha se në komunën e Prishtinës, përkundër angazhimeve që kanë inspektorët edhe në çështje të tjera, inspektimet për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit janë të vazhdueshme.

Në këtë takim, inspektorët janë falënderuar për punën e tyre, në kushte jo shumë të favorshme, ndërkohë që është folur edhe për atë se çka po e sfidon më tepër zbatimin e këtij ligji.