Dalin nga Ngujimi të Gjithë Minatorët e Trepçës

Pak minuta më parë ka dalë nga ngujimi edhe grupi i fundit i minatorëve të Trepçës.

Gazetari i KALLXO.com në vendin e ngjarjes raporton se menjëherë pasi ka përfunduar nxjerrja e minatorëve të ngujuar, ka filluar punën ndërrimi tjetër i minatorëve të minierës në Stantërg.

57 minatorë janë ngujuar në horizontet e minierës për shkak të defektit në liftin që i bart punëtorët.

Ata janë nxjerrë në grupe të vogla, për rreth katër orë rresht.

Raportohet se defekti është shkaktuar te sinjalizimi i liftit në bazë.

Rinis Nxjerrja e Minatorëve

23:52

Një grup tjetër minatorësh të ngujuar në “Trepçë” janë nxjerrë, pasi lifti që bart xehen ka rifilluar punën.

Brenda në horizonte ndodhen ende mbi njëzet punëtorë.

23:52

Ndërpritet Nxjerrja e Minatorëve-Nxehet Motori i Liftit

Momentalisht është ndërprerë nxjerrja e minatorëve të ngujuar në horizontet e “Trepçës”, për shkak të nxehjes së mototit të liftit me të cilin këta punëtorë po dalin mbi sipërfaqe.

Gazetari i KALLXO.com-it raporton se po pritet ftohja e motorit për ta vazhduar nxjerrjen.

Deri tash kanë dalë nga nëntoka rreth 20 minatorë.

Vendin e ngjarjes e ka vizituar edhe kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri. Ai është arsyetuar se ndodhej në një udhëtim dhe nuk mundi të vijë më herët.

“Këto janë edhe arsyet pse unë kam kërku që Ligji mbi ‘Trepçën’ të bëhet sa më shpejt që të mos kemi kësi prpoblemesh në një të ardhme”, tha Bahtiri.

23:14

Minatori Shefqet Cimili Ankohet për Mungesë Ushqimi

Minatori Shefqet Cimili që doli me grupin e tretë të këtyre punëtorëve nga horizontet nëntokësore të “Trepçës”, edhe pse tregoi se gjendja e atyre që i la brenda është e mirë, u ankua për mungesë ushqimi e uji.

“Nuk ka pasë as ushqim, s’ka pasë as ujë. Më ka mungu gjithçka, po shyqyr që dolëm”, tha Cimili.

Ai megjithatë tregoi se gjendja e minatorëve tjerë që po presin nxjerrjen është e mirë.

Cimili ishte në grupin e tretë të minatorëve që dolën me liftin me të cilin transportohet xehja.

Dalja me një lift të tillë është shumë e mundimshme, pasi ai nuk është i dizajnuar për njerëzit. Minatorët gjatë tërë rrugës që i nxjerr mbi sipërfaqe qëndrojnë të kërrusur, raporton gazetari i KALLXO.com-it.

Çdo dalje e minatorëve shoqërohet me duartrokitje të njerëzve që po qëndrojnë para hyrjes së minierës.

Deri tash kanë dalë tri grupe me gjithsej 16 minatorë.

22:39

Flet Njëri Nga Minatorët që Doli Nga Nëntoka

“I kanë pasë disa vështirësi të vogla, porse minatorët janë mësuar me to, kështu që po vazhdojnë me dalë kadale dhe gjendja e minatorëve është e mirë”, tha Hajzeri.

Drejtori i “Trepçës” Ahmet Tmava tha se problemi i sotëm ndodhi për shkak të teknologjisë së vjetruar.

“Kjo është si pasojë e teknikës së vjetruar. Interesimi i madh i opinionit tregon se ‘Trepça’ është një fuqi ekonomike e Kosovës, mirëpo kjo edhe njëherë tregon qartë se statusi i kësaj organizate duhet të definohet njëherë e mirë”, deklaroi Tmava.

Ai tha se do të qëndrojë afër hyrjes së minierës derisa të gjithë punëtorët e ngujuar të dalin nga atje.

Deri tash nga miniera kanë dalë 11 minatorë, ndërsa brenda ndodhen edhe 46 të tjerë.

22:04

Pesë Punëtorët e Parë Dalin nga Horizontet e “Trepçës”

Për shkak të një problemi me energji elektrike, 57 punëtorë të minierës së “Trepçës” ngelën në pesë horizontet ku kryenin detyrat e tyre të punës. Momentalisht ata po nxirren nga nëntoka me anë të liftit me të cilin xehja del në sipërfaqe.

Pesë punëtorët e parë tashmë kanë dalë mbi tokë, raporton gazetari i KALLXO.com-it në vendin e ngjarjes.

Nxjerrja e punëtorëve është duke vazhduar, ndërsa për shkak se lifti nuk mund të ngrejë peshë më të madhe nuk mund të nxirren përnjëherë më shumë se pesë persona.

Punëtorët që mbetën në vendet e nëndheshme të punës, ndodheshin në pesë horizonte të minierës, nga i shtati deri në të njëmbëdhjetin.

20:46

50 Minatorë Ngujohen në Stantërg

Rreth 50 minatorë kanë mbetur të ngujuar tash e tetë orë në një nga minierat e Stantërgut, si pasojë e një problemi me energji elektrike, konfirmoi për KALLXO.com, drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava.

Ai tha se ekipet janë duke vazhduar punën në drejtim të rregullimit të defektit, ndërsa u shpreh se është në kontakt

“Ne me gjithë stafin gjendemi në minierë dhe punëtorët janë duke punuar për ta regulluar problemin e rrymës”, tha Tmava.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me minatorët dhe po besojmë se shumë shpejt kjo gjendje do të rregullohet”, u shpreh ai.