Opozitë, e Hidhëta Opozitë!

Koalicionin PDK-LDK, ata e kanë quajtur “pazar me dosje”, “dëm të madh për Kosovën” dhe “bashkim i të këqijve me të ligët”.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se mbrëmë te presidentja është bërë pazar me dosje ndërsa potencoi se koalicioni PDK- LDK është dëmi më i madh që i ka ndodhur Kosovës.

“Për neve është e qartë se mbrëmë te presidentja është bërë pazari me dosje. Isa Mustafa e amniston PDK-në edhe ShIK-un për krimet dhe korrupsionin kurse ambasadorja amerikane ia ngrin ato 70 lëndë për krimet në komunë që mund të shpien te përgjegjësia e Isa Mustafës”,  tha Kurti.

I pari i VV-së tha se me arritjen e marrëveshjes PDK- LDK këta të fundit e kanë ndarë qeverinë me thikë.

“Unë nuk e di se çka janë marrë vesh e a janë marr vesh, e di një deklarim që ka ndodh se e kanë nda si me thikë qeverinë, tash mbetet të shohim se çka po ndodh”, theksoi Kurti.

Kur u pyet nga KALLXO.com se a qëndron prapa deklaratës se ka hajna të superligës dhe ligës së dytë, Kurti u përgjigj:

“Kur ju thash hajna, mendova që do të ju vijë keq, por atyre u erdhi keq që ju thash hajna të ligës se dytë”, pohoi Kurti.

Ndërsa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se me krijimin e koalicionit PDK-LDK janë bërë bashkë të këqijtë dhe të ligët.

“Është shkolla qeverisëse nacionale që e ka sjellë Kosovën në gjendjen që është, por po ashtu  është një shkollë qeverisëse që e kemi përjetuar në komunën  e Prishtinës, e dobët. Dikush e vlerësoi këtë, tha më të këqijtë me më të ligët janë bërë bashkë. Nuk është kombinim i mirë për Kosovën tash dhe për ditët që po i vijnë Kosovës”, tha Haradinaj.

I pari i AAK-së u shpreh se me këtë koalicion “do të rritet kapja e shtetit” dhe nuk do të ndodh çlirimi i institucioneve nga krimi dhe korrupsioni.

Ndërsa Bilal Sherifi nga NISMA tha se subjekti i tij politik nuk duhet ta shohë veten se është prerë në besë nga krijimi i koalicionit LDK-PDK.

“Nëse dikush duhet ta shohë vetën që është prerë në besë është Kosova ajo që është pre në besë sepse Kosovës i është premtuar ndryshimi i qeverisjes”, tha Sherifi.

Ai tha se tërësia e këtij koalicioni ka dështuar të mbaj premtimin se Kosovës do t’i ofrojë një ndryshim të qeverisjes.

Sherifi tha se gjatë ditëve të ardhshme NISMA do ta mbajë mbledhjen e Këshillit dhe do të vendosë për hapat e mëtutjeshme ndërsa tregoi se ai personalisht do të angazhohet që ky subjekt të mbetet opozitë.