AAK-ja Nuk e Përjashton Koalicionin Me PDK-në

Sipas AAK-së, partitë e bllokut duhet t’i përmbahen marrëveshjes së 10 qershorit.

“Kryesia e AAK-së, në mbledhjen e mbajtur rithekson bindjen e saj që ndryshimet rrënjësore në politikën dhe në shoqërinë kosovare, kërkojnë një lidership të ri në Qeverinë e Koosvës, me Ramush Haradinajn si kryeministër të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha Ahmet Isufi pas përfundimit të mbledhjes.

Ai tha se marrëveshja 10 qershorit nuk mund të jetë peng i veprimeve të njëanshme të cilit do subjekt politik që është pjesë e koalicionit.

Sipas Isufit, liderët duhet t’i  përmbahen kësaj marrëveshje, përndryshe përgjegjësia për dështimin e eventual të marrëveshjes së 10 qershorit, do bie mbi atë subjekt politik dhe mbi udhëheqësin e saj.

I pyetur se nëse edhe LDK-ja sikur AAK-ja i jep mbështetje Isa Mustafës për kryeministër, ai tha se duhet të zbatohet marrëveshje e arritur më 10 qershor.

“Ne bazohemi në një marrëveshje të arritur nga të gjitha subjektet unanimisht, prandaj i përmbahemi asaj marrëveshjeje”, tha Isufi.

Ndërsa i pyetur se a do të shkojë AAK-ja në koalicion me PDK-në, në rast të prishjes së marrëveshjes së bllokut, ai tha se nuk dëshiron të paragjykojë rezultatin.

“Ne nuk duam që të paragjykojmë sepse mendojmë që ky koalicion duhet ta ndryshojë gjendjen në Kosovë, prandaj duam ende të besojmë që koalicioni duhet ta krijojë qeverinë e re”, shtoi.

Isufi po ashtu ka thënë se duhet sa më shpejtë që të thirret vazhdimi i seancës konstituive në mënyrë që sa më shpejtë të themelohen institucionet e vendit.

AAK në Mbledhje për Koalicionin

11:19

Kryesia dhe kryetaret e degëve  të AAK-së sapo kanë filluar një mbledhje në selinë e kësaj partie ku pritet të diskutohet për zhvillimet e fundit politike.

“Pika e kësaj mbledhje do të jetë zhvillimet e fundit në vend dhe institucionet”, tha shkurt kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Marrëveshja mes bllokut LDK-VV-AAK-NISMA ka filluar të lëkundet derisa po shqyrtohet posti i kryeministrit nga LDK dhe AAK.

Përfaqësuesit e bllokut të premten patën një takim në orët e vona.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj pas këtij takimi pati thënë se derisa nuk ka marrëveshje të re dhe mbetet në fuqi marrëveshja e 10 qershorit.

Por fundjava ka treguar më shumë se asnjëherë brishtësinë e kësaj marrëveshjeje pasi zyrtarë të të dyja partive kanë polemizuar në distancë rreth kandidatit për postin e kryeministrit.