Ramë Buja dhe Këshilltari i Tij Me Deklarata të Kundërta Rreth Memorandumit Kundërthënës

Buja u shpreh se ai vetëm i ka rekomanduar rektorit zbatimin e këtij memorandumi, i cili ka ngritur polemika të shumta deri në nivel ultimatumi nga këto shoqata drejtuar Universitetit të Prishtinës.

“Asnjëherë, as sot as mot, ministri s’ka kërkuar që të shkelet ligji. As në këtë rast nuk kam kërkuar shkelje të ligjit. Unë, në fakt, kam kërkuar që ta bëj një obligim timin ligjor, që rektorit të Universitetit të Prishtinës t’i rekomandoj që ta respektojë një memorandum që akoma është në fuqi. Ky memorandum është në fuqi akoma dhe kjo çështje duhet të realizohet, asnjë gjë më shumë e as më pak. Andaj nuk besoj se logjika normale dhe racionale do të thotë se është shkelë ligji duke rekomanduar diçka. Se rekomandimi dihet çfarë është dhe çfarë peshe ka”, tha ministri Buja.

Në një intervistë të dhënë të hënën për KALLXO.com, rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, kishte thënë se organizatat e dala nga lufta po kërkojnë nga ai që ta shkelë ligjin dhe se një kërkesë të tillë e kishte marrë edhe nga vetë ministri Ramë Buja.

Por, sipas Bujës, rekomandimi që i ka bërë rektorit “jo domosdoshmërish nënkupton zbatimin e memorandumit”.

Megjithatë, në një deklaratë të dhënë më 10 nëntor të këtij viti për portalin Gazeta Blic, Arbër Morina, këshilltar i ministrit Buja, ka thënë se ministri ka kërkuar respektimin e këtij memorandumi.

“Ministri i është drejtuar me një shkresë rektorit Zejnullahu nga i cili ka kërkuar që të respektohet Memorandumi i nënshkruar ndërmjet UP-së dhe shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së”, citohet të ketë thënë Morina.

Por sot, duke përdorur gjithnjë shprehjen “rekomandim”, ministri Buja tha se e ka bërë këtë në kuadër të kompetencave që ka ministria por “nuk e ka obliguar rektorin që ta zbatojë”.

“Memorandumi është dhe se nuk ka nevojë as për rekomandim e lëre më për vendim. Por është çështje e tij se si i shpjegon këto gjëra. Unë dje e kam pasur një takim me rektorin me qëllimin më të mirë që të sqarohemi dhe t’i them se çfarë është obligimi i tij për një marrëveshje apo memorandum që e ka nënshkruar dikush para tij. Megjithatë, është e tij që të veprojë ashtu siç do, sepse e ka pavarësinë e tij vepruese. Por i sugjeroj edhe tash që të veprojë ashtu siç është më racionale, që të mos e trazojë institucionin”, tha ai.

Duke folur rreth asaj se në listë të studentëve të rinj të ardhur nga shoqatat e dala nga lufta ka pasur fëmijë që nuk kanë qenë pjesë e këtyre kategorive, ministri Buja tha se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në vitet e mëhershme. Sipas tij, shoqatat e dala nga lufta duhet të jenë ato që duhet t’i filtrojnë këta emra nga listat.

“Edhe vitet e kaluara ka pasur lajthitje, ka pasur gabime. Unë ju kam thënë që kësaj radhe, këtë vit që nëse rektori do ta përmbushë obligimin e tij të memorandumit, listat i bëjmë publike edhe në ato vende ku janë në universitet, por edhe përmes mediave, që të dijë se kush kujt i përket dhe kjo gjë dihet. Sepse, në fakt, siç e tha edhe rektori, aty brenda takimit dy emra u përmendën që janë emra që nuk i përkasin kategorive të cilave do të duhej t’i takonin. Elementi i parë për verifikimin i takon atyre shoqatave dhe atyre njerëzve që i kanë bërë ato lista dhe kanë pranuar një gjë të tillë, por duhet t’i verifikojë edhe Universiteti për as sa ka kompetencë dhe mundësi, pse jo edhe Ministria”, u shpreh ministri Buja.

Në këtë drejtim, ministri Buja e sugjeron se vitin e ardhshëm të ri-dizajnohet memorandumi në fjalë.

“Unë jam për atë që vitin që vije ai memorandum të ri-dizajnohet, të rishikohet dhe të saktësohet se çka duhet bërë në të. Nuk dua të prejudikoj tash, duhet ri-dizajnuar në atë kohë kur, në fakt, gjërat kanë lëvizur pak më ndryshe”, shtoi Buja.

Për më tepër, një ultimatum i vendosur nga shoqatat e dala nga lufta javën e kaluar, skadon sot. Por rektorati nuk ka dhënë shenja se do ta përfillë atë.