Implementimi i Marrëveshjeve Kosovë – Serbi Është Ndërprerë

Shefja e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri dhe zyrtari për ndërlidhje i Serbisë në Kosovë, Dejan Paviçeviq kanë folur në tryezën e organizuar me rastin e publikimit të raportit “Monotonia e qytetëruar”, prodhuar nga BIRN Kosova, Qendra për Transparencë, Hulumtime dhe Llogaridhënie – CRTA nga Serbia dhe Interneës Kosova.

Raporti u bën thirrje të dyja palëve si dhe Bashkimin Europian që t’i japin prioritet procesit, duke qenë se shumë nga marrëveshjet e arritura në mes të dy palëve akoma nuk janë implementuar plotësisht.

Paviçeviq tha në këtë tryezë se palët e përfshira në dialog do të angazhohen në lehtësimin e lëvizjes së lirë.

“Do të hapim më shumë pika kalimi dhe do t’i përmbushim detyrimet brenda afateve në çështjen e regjistrave kadastralë. Sa u përket diplomave, do të shikojmë se si ta rregullojmë këtë çështje”, tha Dejan Paviçeviq.

Ndërsa Edita Tahiri vlerësoi se nuk është e lehtë që të bëhet dialog ndërmjet dy shteteve që kanë një histori të gjatë konfliktesh.

“Por ajo që është e rëndësishme është se si Kosova ashtu edhe Serbia kërkojnë anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Tahiri.

Sipas saj, marrëveshja për liri të lëvizjes është implementuar ndërsa ajo për regjistrat kadastralë është zhagitur së tepërmi.

Duke folur për çështje të energjisë, Tahiri tha se nuk është e vërtetë se duhet të themelohet një kompani e re e cila merret me shpërndarjen e energjisë.

Sipas saj, kompania duhet të jetë e regjistruar në Kosovë dhe të punojë ngushtë me KEDS për shpërndarjen e faturave në veri të Kosovës.

Por ajo tha se në aspektin e sigurisë, çështjet në veri të Kosovës kanë mbetur mbrapa.

“Forcat paramilitare (serbe) janë ende të pranishme në veri të Kosovës. Forcat paramilitare duhet të çarmatosen, për ta hapur rrugën për lëvizje të lirë dhe implementim të marrëveshjes”, tha ajo.

Tahiri akuzoi Serbinë të ketë kryer gjenocid në Kosovë gjë e cila e nxiti Dejan Paviçeviqin që të reagojë.

“Me duhet të largohem sepse nuk mund të rri në një tavolinë ku Serbia akuzohet për gjenocid. Më duhet ta mbroj dinjitetin e Serbisë”, tha Paviçeviq.

Pavarësisht kërcënimit për largim nga debati, ai u bind që të qëndrojë.

10:21

Vetëm 4 nga 16 marrëveshjet në mes të Prishtinës dhe Beogradit të arritura në Bruksel që nga vitit 2011 janë implementuar plotësisht, sipas një raporti të Big Deal, një iniciativë e mbikqyrjes qytetare të procesit të negociatave Kosovë-Serbi.

Raporti “Monotonia e qytetëruar”, është prodhuar nga BIRN Kosova, Qendra për Transparencë, Hulumtime dhe Llogaridhënie – CRTA nga Serbia dhe Internews Kosova. Raporti u bën thirrje të dyja palëve si dhe Bashkimin Europian që t’i japin prioritet procesit, duke qenë se shumë nga marrëveshjet e arritura në mes të dy palëve akoma nuk janë implementuar plotësisht.

“Është për të ardhur keq që vetëm 25% e marrëveshjeve të arritura janë implementuar plotësisht, përderisa më shumë se 25 përqind e problemeve janë gjeneruar në katër vitet e fundit, duke përfshirë edhe një barrikadë më të fortë se që ka qenë katër vite më parë, në urën e Mitrovicës”, tha Jeta Xharra, drejtoreshë ekzekutive e BIRN-it në Kosovë.

Raporti është rezultat i më shumë se 70 intervistave me negociatorë, politikanë vendas, gazetarë dhe qytetarë të zakonshëm si dhe një hulumtim intensiv prej më shumë se gjashtë muajsh, i realizuar nëpër Kosovë dhe Serbi. Me një vrojtim të thellë të situatës aktuale të implementimit, Big Deal  synon të bëjë procesin e normalizimit të marrëdhënieve më transparent.

“Mbikqyrja qytetare është një prej vlerave kyçe të demokracisë. Prandaj, suksesi i këtij procesi është i kushtëzuar nga mbikëqyrja dhe pjesëmarrja aktive qytetare”, tha Vukosava Crnjanski, Drejtoreshë e CRTA.

Raporti i parë i Big Deal analizon dinamikat e implementimit, të cilat janë penguar në mënyrë serioze nga ngërçi politik në Kosovë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese Serbe dhe krizat që e kanë zhvendosur vëmendjen e Bashkimit Europian.

Një vit e gjysmë prej  kur u arrit marrëveshja e shumë përfolur në Bruksel në 19 prill 2013, e cila trajtoi më shumë se si Kosova do t’i inkuadrojë katër komunat e Veriut, progresi në çështjet kyçe ka ngecur. Në mënyrë të veçantë, formimi i komunave me shumicë serbe, dhe strukturat gjyqësore dhe të sigurisë kanë akoma shumë për të bërë.

Big Deal është mbështetur nga Zyra e Jashtme Britanike dhe e Commonwealth dhe Fondi Rockefeller Brothers. Big Deal do të publikojë raporte çdo gjashtë muaj.