Studentët Ankohen Se Nuk Ka Ulje Të Pagesës Së Semestrit

Ata ankohen se “po detyrohen nga strukturat udhëheqëse të Fakultetit të Edukimi” të paguajnë semestrin me vlerë 300 euro, ndonëse me vendimin e qeverisë ata ishte dashur të paguanin nga 150 euro.

“Ne si studentë mendojmë qe kjo është një padrejtësi e madhe dhe bie ndesh me vendimet e marra nga institucionet e Kosovës”, thuhet në ankesën e një grupi të studentëve të cilën e kanë raportuar në Kallxo.com.

Më 1 maj kishte hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës që pagesat për semestër, banim dhe ushqim në mensë të ulën për 50 për qind, për të gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës.

Edhe në fletëpagesat të cilat lëshohen nga Universitetit i Prishtinës, pagesa për semestër në nivelin master përshkruhet të jetë 150 euro, e jo 300 sa ishte kohë më parë.

Por, Fakulteti i Edukimi ka një shpjegim se pse po ndodh kjo.

Ethem Çeku, dekan i këtij fakulteti, ka thënë për KALLXO.com se është bërë një keqkuptim pasi sipas tij pagesa me ulje nuk vlen për studentët të cilët këtë obligim nuk e kanë kryer më herët.

 

“Unë nuk mund të mos e zbatoj vendimin e qeverisë, pasi pagesat me lirim vlejnë vetëm për ata që regjistrojnë semestrin e tetorit po jo edhe për ata që nuk i kanë kryer obligimet e mëhershme qëllimisht”, ka thënë dekani Çeku.

Të njëjtën gjë e ka deklaruar edhe prodekani për mësim në Fakultetin e Edukimit, Zeqir Veselaj.

Ai ka thënë  se janë rreth 70 studentë të masterit të cilët qëllimisht e kanë zvarritur pagesën prej disa kohësh me qëllim që të paguajnë më lirim, për shkak të vendimit të qeverisë.

“Ka qenë një zvarritje e qëllimshme e disa studentëve që mos të paguajnë semestrin e  dytë në mënyrë që ta lënë deri tash e të paguajnë më lirë. Por kjo nuk është në rregull kështu”, ka thënë Veselaj.

Qeveria e Kosovës, në maj të këtij viti kishte vendosur që të ulën taksat për pagesën e semestrit, të banimit dhe të ushqyerit në mensë për të gjithë studentët e UP-së. Sipas këtij vendimi i bie që pagesa për semestër për studentët e nivelit bachelor të jetë 25 euro, 150 euro për studentët e nivelit master, ndërsa për ata që ushqehen në mensë do të jetë 15 euro, e jo 30 euro sa ishte më herët.