Nesër “Blloku” Pritet t’i Qartësojë Veprimet

“Unë pres nesër që ne anëtarët e koalicionit të takohemi dhe të bashkëbisedojmë në funksion të asaj që kemi thënë edhe në herët e kaluar. Shpresoj se nesër do ta keni pak më tepër idenë se çka ne do të veprojmë. Jemi futur në një moment ku zgjidhja duhet të vijë sa më shpejtë”, tha Limaj.

Këto komente Limaj i bëri pas takimit që Blloku, pa Vetëvendosjen pati me disa ish-deputetë të Parlamentit Evropian.

Ai tha se takimi më shumë ishte informues. Sipas tij, mysafirët ishin të interesuar që t’i dëgjojnë zgjidhjet që i ka Blloku për të dalë nga situata, e po ashtu, të dinë  edhe rreth platformave të tyre programore.

“Ne e njoftuam delegacionin me koalicionin, me vijat programore, me objektivat që i kemi ndërmend t’i bëjmë në qeverisjen e ardhshme, por gjithashtu e njoftuam edhe me aktualitetin rreth daljes nga situata për të gjetur zgjidhjen e çështjes së kryetarit të Kuvendit, pastaj për të krijuar qeverinë”, tha Limaj.

Limaj tha se ish-deputetët e PE-së nuk iu kanë sugjeruar ndonjë zgjidhje, por vetëm kanë dëgjuar zgjidhjet që i ka Blloku për situatën politike në vend.

“Ata tash e kanë të qartë se ky vend i pavarur duhet përfundimisht të funksionojë vetë, të gjejë zgjidhje brenda vesh vetë, dhe është koha që ne si politikë t’i gjejmë zgjidhjet vetë, dhe unë besoj se do t’i gjejmë”, tha Limaj.

Ai ritheksoi se zgjidhja tashmë është te shumica në Kuvend.

“Bazamenti i çdo gjëje në demokraci është shumica. Fundamenti i një shoqërie demokratike, dhe besoj se këtu s’ka dilemë për askënd”, shtoi ai.

I pyetur për mungesën e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë takim, Limaj tha se nuk kishte njohuri për arsyet, ndërkohë zyrtari për media i kësaj lëvizje nuk është lajmëruar në telefonatat tona deri në momentin e publikimit të këtij raporti.