Serbia Kthen në Kosovë Eshtrat e 12 Viktimave të Luftës

Eshtrat u dorëzuan në pikën kufitare në Merdarë, mes Kosovës dhe Serbisë, të hënën pasi u nxorën nga një varr masiv në guroren e Rudnicës pranë Rashkës, jo larg nga kufiri, ku u gjetën edhe 40 trupa të tjerë.

Prenk Gjetaj, kreu i komisionit të Kosovës për personat e zhdukur, tha se familjet e viktimave mbajtën një përkujtimore për të dashurit e tyre pasi trupa u dorëzuan.

“Eshtrat e 12 viktimave janë këtu. Ato do të transferohen në Prishtinë sapo familjet të përfundojnë homazhet,” tha Gjetaj për BIRN.

Komisioni i personave të zhdukur të Kosovës beson se trupat në varrin masiv janë ato të shqiptarëve të Kosovës që humbën gjatë konfliktit të vitit 1998-99 në Rrezallë, një fshat në Skënderaj dhe që u varrosën në gurore në jug të Serbisë për të fshehur provat e krimit.

Zona pranë Rudnicës u hetua fillimisht në vitin 2010, pasi prokuroria serbe e krimeve të luftës, në bashkëpunim me misionin e sundimit të ligjit të BE në Kosovë, lajmëroi se mund të ekzistonte një varr masiv në Rashkë që mbante trupat e të paktën 250 shqiptarëve, ndonëse asnjë nuk u gjet deri në vitin e shkuar.

Janë ende 1700 persona të zhdukur si rezultat i konfliktit të Kosovës.