Grafite Në Muret e Manastirit të Deçanit

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e dënoi ashpër aktin e vënies së mbishkrimeve në muret e Manastirit të Deçanit.

Në një deklaratë të lëshuar, AAK thotë se dënon “abuzimin me emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga grupe të caktuara me qëllime të ulëta të njollosjes së vlerave të saj”.

“Grafitet e sotme, të shkruara nga persona të panjohur në muret e Manastirit të Deçanit, që synojnë identifikimin e UÇK-së me organizata të huaja terroriste e kriminale si “ISIS” dhe “Kalifati Islamik” kanë tendenca të qarta antishqiptare dhe kundër luftës së drejtë e të pastër për liri, të bërë nga populli dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Sipas AAK-së, tendencat për çfarëdo asociimi apo identifikimi të luftës dhe vlerave të UÇK-së me grupe dhe organizata të tilla kriminale, kanë dështuar edhe në të kaluarën e do të dështojnë edhe sot e përgjithmonë.

“AAK do të angazhohet edhe në të ardhmen për bashkëjetesë midis të gjitha komuniteteve etnike e fetare në Kosovë, dhe për liri të ushtrimit të besimit të të gjitha komuniteteve”, thuhet në deklaratën e AAK-së.

20:26

Persona të panjohur kanë shkruar grafite të ndryshme në muret e Manastirit të Deçanit.

“Kalifati Po Vjen”, “ISIS”, AKSH”, “UÇK” janë mbishkrimet që janë vendosur në muret dhe objektet që janë pronë e Manastirit.

Fotografitë me këto grafite i ka publikuar në Twitter igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq

Policia e Kosovës në rajonin e Pejës ka konfirmuar se ka marrë një informatë për këto mbishkrime dhe ka dalë në vend të ngjarjes.

“Për momentin nuk kemi asnjë të dyshimtë, por ne kemi kryer të gjitha veprimet policore”, tha për KALLXO.com, zëdhënësi rajonal i policisë, Xhevat Ibraj.

Ai nuk mundi të konfirmojë nëse ka kmera të sigurisë në tërë perimetrin e Manastirit.

Por këto mbishkrime kanë ngjallur menjëherë reagimin e drejtuesve të institucioneve të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka cilësuar këtë si “akt të shëmtuar dhe të papranueshëm”.

Sipas Presidentes, vandalizimi i një monumenti të trashëgimisë kulturore dhe të karakterit fetar nuk i kontribuon ndërtimit të mirëbesimit mes komuniteteve dhe bie ndesh me vlerat e tolerancës ndërfetare dhe etnike që janë vënë në gurthemelin e shtetit të Kosovës.

Ndërsa, kryeministri në largim Hashim Thaçi ka hedhur poshtë çdo lidhje ndërmjet lëvizjeve ekstremiste islamike dhe UÇK-së, pjesë e të cilës ka qenë vetë.

“Grafite me mesazhe të tilla janë edhe kundër vlerave më të shenjta të luftës për clirimin e Kosovës. UÇK kurrë nuk ka luftuar për çështje fetare por emancipuese në frymën evropiane”, tha Thaçi.

“Dikush sonte ka fëlliqur muret e mureve të Manastirit të Deçanit me mbishkrime Kalifati, ISIS dhe UÇK. Fillimisht duhet të dënojmë një incident të tillë sepse objekti i Manastirit të Decanit nuk është vetëm mur por trashëgimi e mbrojtur me ligje të Republikës dhe statusin si një vlerë të njohur botërore edhe nga UNESCO”, u shpreh ai.