S'ka Progres Për Arsimin në Raportin e Progresit

Në disa paragrafë në të cilët flitet për arsimin, raporti thekson sfidat të mëdha të cilat, siç thuhet,  duhet të kalohen në mënyrë që të zhvillohet arsimi i lartë.

Transparenca në rekrutimin e stafit akademik, cilësia në arsim dhe mungesa e një plani strategjik për zhvillimin e arsimit janë disa nga vërejtjet për të cilat shkruan Raporti i Progresit.

Sipas këtij raporti, Kosova ka bërë pak përparim në zhvillimin e një plani të qartë strategjik për institucionet e arsimit të lartë. Ndërsa e sheh si të nevojshme transparencën në përzgjedhjen e stafit akademik.

“Kërkohet që të përmirësohet transparenca e procedurave të rekrutimit në Universitet”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Raporti po ashtu bënë thirrje që cilësia e arsimit të lartë duhet të përmirësohet në masë të madhe.

“Cilësia e arsimit të lartë dhe rëndësia e saj në tregun e punës duhet të përmirësohet në masë të madhe. Saktësia dhe disponueshmëria e të dhënave në sektorin e arsimit mbetet një sfidë serioze”, thuhet më tej në raport sa i përket fushës së arsimit.

Raporti ka përmendur edhe protestat e  muajit shkurt të cilat u organizuan për largimin e ish-rektorit të UP-së, Ibrahim Gashi.

Raporti thekson se “kredencialet e kontestuara kishin çuar në protesta e deri në dorëheqjen e Gashit”.

Raporti thotë gjithashtu se vetëm 3 përqind e fëmijëve ndjekin shërbimet arsimore parashkollore, përderisa “arsimi dhe programet e trajnimit duhet të përmirësohen në punët praktike në mënyrë që ta plotësojnë të mësuarit teorikë dhe praktikat e  mësimit”.

Blerim Saqipi, profesor në Fakultetin e Edukimit, konsideron që vërejtjet që kanë dalë nga Raporti i Progresit në fushën e arsimit janë shumë valide ndërsa realizimi i tyre, sipas tij, kërkon shumë kohë.

“Cilësia e arsimit, transparenca akademike dhe relevanca e diplomave që lëshohen nga institucionet e arsimit të lartë pa përjashtime mbesin sfida kryesore”, thotë Saqipi.

Sipas tij, raporti tregon se Kosova nuk e ka prioritet arsimin.

“Duke mos qenë prioritet, nuk merr mbështetje as politike e as financiare. Kjo është edhe esenca e raportit i cili kërkon vullnet dhe përkushtim në nivel politik dhe praktik për të adresuar çështjet në mënyrë të vazhdueshme”, ka thënë Saqipi.

Raporti i progresit si problem e sheh edhe mungesën e të dhënave në sistemin arsimor, por që për këtë vërejtje nuk pajtohet profesori Blerim Saqipi.

“Përderisa mungesa e të dhënave në arsimin e lartë është më evidente, në sistemin e arsimit parauniversitar problemi qëndron më shumë në faktin se të dhënat nuk shfrytëzohen për politikbërje dhe veprim”, ka deklaruar Saqipi.

Sipas tij, vërejtjet e dala nga raporti i Komisionit Evropian kërkojnë veprime urgjente dhe të vazhdueshme në teren dhe si të tilla do të duhet të adresohen në kontekst afatgjatë dhe jo si veprime të izoluara për të përmirësuar raportin e progresit në vitin vijues.