Thaçi: Takimi i Bllokut, Jo Ligjor

“Në fakt ajo nuk ka qenë seancë, ka qenë një takim që ka keqpërdorur si hapësirë Kuvendin e Republikës së Kosovës, është përtej autorizimeve që mund të kenë individ të tillë”, tha Thaçi.

Sipas tij, ka qenë një takim jo legal, jo zyrtar, jo kushtetuese, jo ligjor  dhe pa asnjë vlerë dhe pa asnjë validitet.

Sa i përket ndërtimit të institucioneve, Thaçi tha se kjo duhet të bëhet në përputhshmëri me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Pozicioni i Partisë Demokratike të Kosovës është i qartë, respektimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Ai po ashtu, ka theksuar se nevojitet një dialog i brendshëm ndërpartiak në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për konstituimin e institucioneve.

“Inkurajojmë që të ndodhë dialogu i brendshëm ndërpartiak, të ndodh komunikimi i nevojshëm në mënyrë që të gjejmë gjuhen e përbashkët për arritjen e një marrëveshje që do të qonte drejt drejtimit të institucioneve”, shtoi Thaçi.

 

Deputetet e koalicionit LAN dhe të Vetëvendosjes, të premten e kaluar kanë dërguar 62 nënshkrime në Kuvend, ku kanë kërkuar nga kryesuesja e Kuvendit, Flora Brovina, për të thirrur seancën këtë të enjte, por kryesuesja Brovina ka refuzuar të bëj një gjë të tillë, me arsyetimin se kjo seancë nuk është thirrur nga ajo.