Konfirmohet Intervistimi i Ministrit dhe Sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë nga Prokuroria

Njësiti për Krime Ekonomike ka arrestuar sot nëntë persona në Prishtinë dhe në Pejë. Prej këtyre personave, disa janë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe disa të tjerë janë mjekë. Ky operacion vjen pas autorizimit të Njësiti për Krime Ekonomike të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, lidhur me këtë rast, në qershor të vitit 2014, ka nxjerrë aktvendim për fillim të hetimeve kundër nëntë të dyshuarave me iniciale : G.Sh., F.A., L.B., B.P., A.H., A.B., N.Z., D.G., Nj.G., E. M., M.A. dhe R.E.. Prej këtyre personave, disa janë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe disa të tjerë janë mjekë.

Arrestimet e sotme janë komentuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

“Prokuroria e Shtetit ka kërkuar që disa zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë të intervistohen për çështje rreth të cilave ata do të informohen gjatë intervistimit nga ky organ”, tha Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë.

Ai konfirmoi se edhe ministri Ferid Agani dhe sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Gani Shabani, janë ftuar nga prokuroria për t’u marrë në pyetje.

Prokuroria thotë se për këta të pandehur ekziston dyshimi i bazuar se duke vepruar në bashkëveprim dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore, të cilat nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore, me spitalet private, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Spitalet të cilat dyshohen se kanë bashkëpunuar janë Internacional Medicine Hospital, më seli në Prishtinë dhe INTERMED sh.p.k. më seli në Prishtinë, pa shpallur fare tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.

“Me këto veprime të pandehurit ua kanë mundësuar spitaleve private Internacional Medicine Hospital (IHM) sh.p.k. dhe INTERMED sh.p.k. përfitimet materiale, duke ua paguar nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, si autoritet kontraktues, shpenzimet për pacientët që dërgoheshin nga institucionet publike shëndetësore në këto spitale private, në kundërshtim më Udhëzimin Administrativ nr.02/2012”,  thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Republikës së Kosovës.

Po ashtu  në këtë komunikatë thuhet se në vend të pagesave prej 70% të shumës për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore, kanë paguar deri në 100% të këtyre shpenzimeve, për këto trajtime shëndetësore, duke përfshirë edhe koronarografinë, edhe pse koronarografia kryhej edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Disa nga të pandehurit kanë marrë ryshfet nga dy klinikat private të lartcekura, ndërsa zyrtarët e klinikave u kanë dhënë ryshfet atyre, për t’i dërguar pacientët në klinikat e tyre. Njëri nga këto spitale nuk ka pasur fare licencë pune dhe gjithashtu edhe mjekët që kanë punuar në atë spital nuk kanë licencë për kryerjen e intervenimeve mjekësore në zemër, e të cilat i kanë kryer.

Prokurori i rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për ndalim ndaj nëntë personave të arrestuar dhe do t’i paraqesë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kërkesën për caktimin e paraburgimit prej një muaji për të nëntë të ndaluarit.

Arrestohen Mjekë dhe Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë

14:24

“Rasti ka të bëjë me mjekë dhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë”, tha ky burim.

E Policia e Kosovës nuk deshi të komentojë në lidhje me arrestimin e këtyre personave.

“Policia është duke e zhvilluar një operacion në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovë. Asgjë nuk mund të them më shumë”, tha Zyrtari Për Informim në Policinë e Kosovës, Brahim Sadriu.

Këto arrestime nuk i komentoi as Prokuroria Speciale e Kosovës, institucion ky i cili ka dhënë urdhër për arrestimin e këtyre zyrtarëve.

“Janë bërë disa arrestime nën mbikëqyrje të prokurorit të Prokurorisë Speciale. Për momentin vetëm kaq mund të them”, tha Zyrtarja Për Informim në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Liridona Kozmaqi.