Raporti i Progresit Sheh Regres në Luftën Kundër Korrupsionit

Në veçanti, thotë raporti, progres është shënuar në procesin zgjedhor dhe në kërkesat nga dialogu për liberalizim të vizave.

Megjithatë, raporti thotë se zgjedhjet e mbajtura këtë vit dhe procesi kompleks i formimit të qeverisë pas zgjedhjeve të qershorit “e kanë dëmtuar këtë proces në disa fusha”.

Raporti është bërë publik të mërkurën dhe menjëherë pas publikimit, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar e ka dorëzuar këtë dokument te Presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi.

Raporti vlerëson se Kosova dhe Serbia po ecin me hapa të ngadalësuar drejt përmirësimit të raporteve në mes vete në kuadër të dialogut që është duke u zhvilluar nën lehtësimin e BE-së

Raporti i Progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian paraqet pasqyrën e zhvillimeve të fundit në vend të cilat janë mbikëqyrë dhe vlerësuar nga ky Komision.

Raporti vlerëson faktin që për herë të parë zgjedhjet lokale u mbajtën në tërë Kosovën ndërsa i ka vënë theks edhe pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e fundit në Kosovë.

Raporti thotë se Serbia ka luajtur një rol konstruktiv  duke siguruar pjesëmarrjen e Kosovës në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Samitin e Bukureshtit në qershor  të 2014.

Megjithatë theksohet se zbatimi i marrëveshjes për përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale vazhduan të jetë problematike.

Sipas këtij raporti, Serbia ka vazhduar të bashkëpunojë me EULEX-in, sidomos për krimet e luftës, por bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar duhet të përmirësohet në mënyrë të konsiderueshme.

Kritikat e trajtimit të disa çështjeve penale nga EULEX-i kundër serbëve të Kosovës nuk janë produktive, dhe BE i bën thirrje autoriteteve serbe “duhet të përmbahen nga deklaratat ndërsa Kosova duhet të vazhdojë bashkëpunimin e mirë me EULEX-in”.

Ndërsa sa i përket komunikimit që zhvillohet në Kosovë, raporti thotë se Kosova është duke e bërë përparim në përdorimin e kapacitetit të tepërt të infrastrukturës ekzistuese të komunikimit të publikut

Por sipas raportit Komisioni i Pavarur për Media (KPM) nuk ka miratuar një strategji të për digjitalizimin.

Mungesa e aktivitetit të KPM-së është  duke shkaktuar pjesërisht një dështim për të emëruar anëtarë të Këshillit të saj.

Kosova duhet të rrisë përpjekjet për të përgatitur procesin e kalimi në transmetimet digjitale, duke përfshirë edhe miratimin e legjislacionit dhe duke bërë përgatitjet teknike thotë ky raport.

Ndërsa si e metë konsiderohet fakti që televizioni publik, RTK-ja, mbetet e varur nga financimi shtetëror, dhe kjo, sipas raportit, ndikon në “uljen e pavarësisë editoriale”.

“Kosova ende nuk e ka gjetur një mënyrë për të siguruar pavarësinë financiare të RTK-së”, thotë ky raport.

Raporti vlerëson se përzgjedhja e Bordit të RTK-së u bë me “kritere politike”.

Ndërsa sa i përket korrupsionit ky raport thotë se përpjekjet e mëtutjeshme janë të nevojshme për të zbatuar plotësisht dispozitat përkatëse për parandalimin e korrupsionit.

Zbatimi i strategjisë anti-korrupsion dhe planit të veprimit nuk po arrin të gjenerojë rezultate efektive për shkak të mbështetjes së dobët politike, thuhet në raport.

Në të gjithashtu thuhet se Kosova duhet të bëjë promovimin e integritetit në shërbimin civil, në veçanti duke ofruar trajnime në shënjestër për nëpunësit civilë.

Ndërsa vlerësohet se partitë politike në përgjithësi nuk i përmbushin detyrimet e tyre në bazë të Ligjit për Financimin e tyre dhe se zbatimi i këtij ligji, sipas këtij vlerësimi, është i dobët.

Ndërsa sa i përket gjyqësorit thuhet se legjislatura e re ka nevojë për të siguruar emërimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor pasi që legjislatura e mëparshme nuk ka plotësuar detyrimin e vet kushtetues për të emëruar dy anëtarët e fundit e këshillit, duke e lënë këshillin me 11 në vend se me 13 anëtarë.

Komisioni Evropian konsideron se Kosova është në një fazë të hershme të dhënë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar, e cila vazhdon të jetë një sfidë serioze. Numri i përgjithshëm i aktakuzave dhe gjykimeve në rastet e trafikimit të narkotikëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore mbetet i ulët.