Dënimi i Driton Kelmendit Për Vrasje Apelohet në Gjykatën Kushtetuese

Ramë Dreshaj dhe Halil Palaj, avokatë mbrojtës të Driton Kelmendit, i dënuar me 18 vjet burgim për veprën vrasje e rëndë, i janë drejtuar kësaj gjykate për shkak se pretendojnë që klientit të tyre i është mohuar e drejta për gjykim të drejtë.

Ramë Dreshaj tha se me këtë rast është bërë shkelje e Neni 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 6 i Konventës së Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut – garantimi i të drejtës për proces të rregullt.

“Klientit tim Driton Kelmendi, që nga hetuesia në Pejë, pranë Gjykatës së Qarkut atëherë në Pejë iu kanë shkelur në mënyrë flagrante e drejta në mbrojtje, iu ka shkelë e drejta e propozimit të provave dhe fakteve, të cilat shkojnë në favor të tij, edhe që e justifikojnë pafajësinë e tij”.

“Të njëjtin gabim e ka bërë edhe Gjykata e Apelit, po ashtu dhe Gjykata Supreme mjerisht të njëjtin gabim e ka bërë”, tha avokati Dreshaj pas dorëzimit të lëndës në Gjykatë Kushtetuese.

Dreshaj tha se janë të detyruar t`i drejtohen Kushtetueses për shkak se Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës dhe rrjedhimisht shtetasit e saj nuk kanë të drejtë të dërgojnë lëndë në Gjykatën për të Drejta të Njeriut.

Gjykata e Qarkut në Pejë në shtator të vitit 2012-të e kishte shpallur fajtor dhe dënuar me 23 vjet burgim Driton Kelmendin, për vrasjen e të riut Kreshnik Isufaj, në qendër të qytetit të Pejës. Dënimi me 23 vite burgim ndaj Driton Kelmendit ishte ulur në 18 vite nga Gjykata e Apelit.

Paneli gjyqësor i kryesuar nga gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, i kishte shqiptuar Kelmendit dënimin unik në kohëzgjatje prej 23 vjetësh për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa Fisnik Gashi ishte liruar nga vepra penale e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, e ri-kualifikuar gjatë gjykimit në vrasje të rëndë në tentativë. Por, ai ishte dënuar me dy vjet burgim për armëmbajtje pa leje.

Ngjarjes që kishte ndodhur më 19 shtator 2011, i kishte paraprirë një ngatërresë më herët ndërmjet Fisnik Gashit dhe vëllait të Driton Kelmendit, Vetonit, që kishte rezultuar më therje. Për këtë, Fisnik Gashi i kishte mbajtur 26 muaj burgim.