Presidentja Rifillon Konsultimet me Liderët Për Zhbllokimin e Institucioneve

Takimin e parë ajo e ka mbajtur me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, ndërsa menjëherë pas tij, në takim ka hyrë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ky i fundit ka thënë pas takimit se blloku paszgjedhor i përbërë nga LDK, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA nuk kanë lëvizur nga qëndrimi.

“Ishte një takim konsultativ ku biseduam për ta gjetur mënyrën se si të dalim nga gjendja e krijuar”.

“Kuptohet, ne i shpjeguam se e shohim këtë mënyrë përmes votimit në parlament”, u shpreh Haradinaj.

Sipas tij, blloku nuk do të ndalet së kërkuari mbajtjen e seancës dhe votimin e organeve drejtuese të Kuvendit.

“Do të bëjmë kërkesë me nënshkrime për ta vazhduar seancën e cila është dashur të mbahej sot. Do të kërkojmë që ajo të mbahet javën e ardhshme”, tha ai.

Menjëherë pas përfudnimit të takimit me Haradinajn, Presidentja priti delegacionin e PDK-së të drejtuar nga kryetari Hashim Thaçi.

Ky i fundit, pas takimit, tha se për tejkalimin e ngërçit politik duhet “respektimi i rezultatit të zgjedhjeve të 8 qershorit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Ai ka thënë se pret nga Presidentja që të punojë në “gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme”.

“Në të njëjtën kohë, unë si kryetar i partisë fituese të zgjedhjeve të 8 qershorit i ftoj edhe liderët e tjerë politikë që të ulemi dhe të bisedojmë dhe të gjejmë një zgjidhje”.

Duke folur për tubimin e sotëm të deputetëve të bllokut paszgjedhor në sallën e Kuvendit, Thaçi tha se ky ëshët “tejkalim i autorizimeve të një grupi të deputetëve”.

“Ishte veprim i gabuar dhe i nxituar dhe ne nuk mund të veprojmë në mënyrë të njëanshme dhe antikushtetuese”, tha ai.