Sot Nuk Ka Seancë, Blloku Thotë Se e Ka Shumicën

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka sqaruar se partitë e bllokut paszgjedhor nuk do të mbajnë sot ndonjë seancë të Kuvendit, pavarësisht se ata kanë zënë vendet tash e një orë në sallën e seancave.

Duke folur nga salla e Kuvendit, Mustafa është shprehur se vendimi për shtyrje të seancës nga kryesuesja Flora Brovina është i papranueshëm dhe përbën “abuzim të Kushtetutës”.

Por Mustafa bëri të ditur se blloku nuk do të tentojë sot të mbajë seancë.

“Ne sot nuk jemi në seancë, por jemi këtu për të shprehur papajtueshmërinë tonë. Jemi këtu për të treguar se kemi një qëllim për sundim të ligjit, qeverisje demokratike dhe kemi një kërkesë që shumicës t’i jepet mundësia që t’i formojë institucionet”, tha Mustafa.

“Do të bëjmë kërkesë që seanca të mbahet nga mesi i javës së ardhshme në mënyrë që të formohen institucionet”, u shpreh ai.

Edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shprehu mospajtimin e tij me shtyrjen e seancës.

Ai kritikoi PDK-në për shtyrjet e vazhdueshme të seancës.

“Partia në pushtet nga qeveria e kaluar e sheh konstituimin e institucioneve si garë automobilistike”.

“Duke u bazuar në vota, ne e kemi shumicën”, tha Kurti.

Ndërsa sipas Ramush Haradinajt, tubimi i sotëm i deputetëve të bllokut paszgjedhor ka vetëm një qëllim.

“Ne jemi mbledhur sot për të treguar se qeveria e ka kriminalizuar vendin, e ka dëmtuar vendim. Ndërprerja e seancës është dëmtim për vendin”, tha Haradinaj.

Gjatë kohës sa deputetët kanë qëndruar në sallë, aty nuk është parë askush nga personeli i sekretarisë së Kuvendit.