Në Dy Institucione Publike Nuk Fillon Viti i Ri Akademik Më 1 Tetor

Arsyet e shtyrjes lidhen me konkursin për pranimin e studentëve në afatin e dytë i cili u vonua të shpallej për shkak se senati i UP-së nuk kishte arritur ta merrte këtë vendim më herët.

Disa herë, mbledhjet e senatit ishin penguar nga studentët protestues të cilët nuk lejonin që rektori Ramadan Zejnullahu t’i kryesonte këto mbledhje.

Senatorët kishin arritur të merrnin vendimin për shpalljen e konkursit vetëm në mbledhjen e  26 shtatorit, ndërsa konkursi për pranimin e studentëve në afatin e dytë u hap zyrtarisht tri ditë më vonë.

Adem Beha, këshilltar i rektorit Zejnullahu ka konfirmuar pengesat të cilat kanë ndikuar që viti i ri akademik të mos fillojë me 1 tetor, ashtu siç edhe e parasheh statuti i UP-së.

“Protestat e studentëve të cilët penguan që të mbahet mbledhja e senatit kanë ndikuar që këta të fundit tek me 26 shtator të pajtohen për shpalljen e konkursit për pranimin e studentëve në afatin e dytë”, ka thënë Beha për KALLXO.com.

Por, sipas tij, vonesa në fillimin e vitit të ri akademik nuk ka ndonjë pasojë të madhe pasi “javën e parë kryesisht bëhen prezantime të profesorëve dhe njoftim me syllabuset e lëndëve”.

Por nuk është vetëm Universiteti i Prishtinës i cili nuk e ka filluar vitin e  ri akademik me një tetor. Edhe Fakulteti i sapohapur i Sigurisë Publike nuk do të fillojë punën për shkak të problemeve teknike.

Viti i ri akademik në fakultetin që për herë të parë nisë punën këtë vit, do të fillojë me 15 tetor.

Fidajete Geci, nga zyra për informim në Fakultetin e Sigurisë Publike, ka thënë për KALLXO.com, se shtyrja e vitit akademik është bërë për shkak se nuk kanë përfunduar të gjitha punimet.

“Shtyrja e fillimit të studimeve në Fakultetin e Sigurisë Publike deri më datën 15 tetor është bërë për arsye se ende nuk kanë përfunduar punimet në amfiteatër, si dhe për shkak se mungojnë disa pjesë të inventarit që është i nevojshëm për studentët”, ka thënë Geci.

Ministri i arsimit, Ramë Buja, me rastin e fillimit të vitit akademik 2014/15, të gjithë profesorëve dhe studentëve u ka uruar vitin e ri akademik, duke thënë se puna e tyre në të ardhmen është bazë për fuqizimin shtetit.