Bordi: Dështimet-Arsye e Shkarkimit të Qerimit

Ejup Qerimi erdhi në shkurt të vitit 2012 në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së me votat e bordit drejtues të udhëhequr nga Rexhë Gjonbalaj një ish-këshilltar komunal i PDK-së në Pejë.

Edhe Qerimi më herët kishte qenë ligjvënës lokal në Gjilan i PDK-së gjatë viteve 2002-2005. 

Por dy vjet e gjysmë më vonë, bordi i udhëhequr sërish nga Gjonbalaj mori vendim tjetër për Qerimin. 

Vendosi ta shkarkojë nga pozita e kryeshefit të korporatës publike.

Zyra për Media e PTK-së që njoftoi për shkarkimin, nuk dha detaje konkrete lidhur me vendimin, por potencoi se shkarkimi bazohet në nenin 18.3 të Ligjit për Ndërmarrje Publike. 

 “…nëse Ndërrmarrja Publike dështon në arritjen e caqeve të saj të performancës për dy vjet financiarë radhazi, Bordi i Drejtorëve është i detyruar të marrë parasysh shkarkimin dhe zëvendësimin e Kryeshefit Ekzekutiv”, thuhet në këtë nen.

Qerimi ende nuk ka kthyer përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë rreth arsyeve të shkarkimit.  

Gazeta Jeta në Kosovë, në maj të këtij viti, pati raportuar lidhur me rënien e të hyrave të Postë-Telekomit të Kosovës. 

Një propozim i “Monaco Telecom-it” bërë për PTK-në pati dëshmuar se situata aktuale në këtë ndërrmarrje publike kërkon veprime urgjente. 

Ejup Qerimi, ish- kryeshefi ekzeklutiv i PTK-së, rënien në të gjitha shërbimet e kompanisë që drejtonte, e pati arsyetuar si trend që po ndodh në gjithë botën. 

“Monaco Telecom” në këtë dokument thotë se ndërrmarrja publike ka pasur rënie në të hyra, rënie në treg dhe rënie në numrin e konsumatorëve. 

Në këtë dokument thuhet se të hyrat në “Vala” nga viti 2011 deri në 2012, kanë rënë për 12 milionë, ndërsa në vitin 2013 për 15 milionë euro.  

Po ashtu, sipas këtij dokumenti, edhe numri i konsumatorëve ka rënë për 143 mijë gjatë këtyre viteve.

Ai, para se emërohej në këtë pozitë kishte punuar si sekretar në Odën Ekonomike ku ishte shkarkuar me kërkesë të Besim Beqajt, atëherë kryetar i OEK-ut e tash ministër i Zhvillimit Ekonomik, dikaster që monitoron Ndërmarrjet Publike. 

Qerimi më vonë kishte ngritur padi kundër këtij shkarkimi nga pozita e sekretarit të OEK-ut.  

Përveç kësaj, Qerimi më herët kishte punuar edhe si menaxher i projekteve në IPKO, kompani që konkurron PTK-në në industrinë e telekomit si dhe kishte pasur pozitën e anëtarit të bordit në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Qerimi zëvendësohet nga drejtori i telekomit 

Qerimi do të zëvendësohet përkohësisht nga Mehdi Latifaj.

Ai është pjesë e Postë Telekomit të Kosovës që nga qershori i vitit 2000. Deri më 2007 punoi si inxhinierë në ndërmarrjen më profitabile në vend ndërsa këtë vit u avancua në menaxherë programi në Telekom. 

Më pas prej 2009 deri më 2011 punoi si menaxher i marketingut në PTK.

Ndërsa prej 22 janarit të vitit 2013  e deri më tash ai ka mbajtur pozitën e drejtorit të Telekomit që operon në kuadër të PTK-së.

Paga e tij në këtë pozitë ka vlerën e 2 mijë e 100 eurove në muaj apo 25 mijë e 200 eurove në vit bazuar në deklarimin e pasurisë së tij në Agjencinë Kundër Korrupsion. 

Ndërkaq paga vjetore e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së 49 mijë e 800 euro.

Latifaj në deklarimin e tij të pasurisë ka shënuar se ka pasuri të paluajtshme në vlerë prej mbi 400 mijë euro dhe se ka para të gatshme në vlerë prej mbi 10 mijë e 700 euro.

Po ashtu Latifaj ka shënuar se ka detyrime financiare ndaj pesë personave. Shuma totale e borxhit është në vlerë prej 26 mijë e 450 eurove. Ka shënuar se borxhi është grumbulluar nga blerja e pronave dhe huamarrjet.

Ndërkaq ka shënuar se bashkëshortja e tij është pjesë e biznesit dhe ka 10  për qind të aksioneve në “Mabel”, që gjendet në afërsi të Qendrës së Studentëve në Prishtinë.