I Akuzuari: U Kërcënova për Auditimin në Ministri

Adem Zogjani, njëri nga katër të akuzuarit për shpërdorim detyre ose të autorizimit gjatë ndërtimit të Parkut të Biznesit në Drenas, në vitin 2006 ishte edhe auditor i brendshëm, edhe sekretar i përhershëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Parku i Biznesit, më i madhi i këtij lloji në vend, i shtrirë në 24 hektarë të tokës së Drenasit, njëzet kilometra larg nga Prishtina në drejtim të Pejës, nisi të ndërtohej nga MTI-ja në nëntorin e vitit 2005 për të përfunduar në dhjetor të 2007-ës.

Bashkë me Zogjanin për shpërdorim detyre ose të autorizimit ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi, Sadri Hykosmani dhe Safet Fazliu, ndërsa Hilmi Bellopoja akuzohet se ka keqpërdorur autorizimet në ekonomi.

Bellopoja fitoi tenderin për ndërtimin e parkut me firmën e tij “Eltoni”, ndërsa ngarkohet se u dha ryshfet zyrtarëve të MTI-së që atëkohë drejtohej nga Bujar Dugolli.

Gjatë paraqitjes së mbrojtjes së tij, Adem Zogjani tregoi se marrëdhëniet me kolegët e tij në ministri i kishte shumë të mira, deri në momentin kur auditoi nga brenda MTI-në.

“Unë jo veç me Nexhatin [Krasniqin], por me të gjithë kam pasur marrëdhënie të mira profesionale, por këto marrëdhënie janë ftohur shumë pas raportit të auditimit në vitin 2006, sepse të gjeturat e raportit ishin të trishtueshme”,  tha Zogjani, teksa iu përgjigj pyetjes së Bajram Tmavës, avokatit të Nexhat Krasniqit, se si e çonte me të mbrojturin e tij.

Nexhat Krasniqi, drejtonte prokurimin në MTI, kur po ndërtohej parku i biznesit.

Dëshmitari më pas tregoi se për të gjeturat e këtij raporti kishte pranuar edhe kërcënime, ndërsa gjyqtari kërkoi të dijë se nga kush ishte kërcënuar.

“Në muajin mars 2007 ka ardhë zyrtari i financave Sadri Hykosmani dhe më ka thënë pse po i trillon gjërat, sepse diçka e tillë nuk ekziston“, u përgjigj  Adem Zogjani.

Gjyqtari e pyeti më tutje Zogjanin se a e konsideron këtë kërcënim, apo kërkesë për fshehjen e fakteve, ndërsa Zogjani u përgjigj se është kërcënim, pasi që Hykosmani i ka thënë se “nuk do të shpëtosh lehtë”.

Gjyqtari deshi të mësojë se pse Zogjani, edhe pse thotë se është kërcënuar e ka thirrur në telefon Hykosmanin.

“Unë e kam thirrë për me pyet se pse po ballafaqohem me gjykatën“, u përgjigj i akuzuari.

Zogjani nuk diti të tregojë se çfarë pozite kishte Hykosmani, në kohën kur tha se e kërcënoi për auditimin në MTI.

Bajram Tmava, avokati i Nexhat Krasniqit e pyeti Zogjanin nëse ishte konflikt interesi që ai në të njëjtën kohë të ishte edhe auditor i brendshëm, edhe sekretar i përhershëm në MTI.

Adem Zogjani, për katër vjet, nga viti 2002 deri më 2006, ka punuar në Njësinë e Auditimit të Brendshëm të MTI-së si auditor dhe drejtor i saj. Gjatë vitit 2006, për rreth gjashtë muaj, ka qenë ushtrues detyre i sekretarit të përhershëm të kësaj ministrie.

Prokurori Besim Kelmendi e kundërshtoi në seancë shtrimin e kësaj pyetje.

“Kam vërejtje për mënyrën se si po bëhen pyetjet dhe si po jepen komentet”, tha ai.

Kryetari I trupit gjykues Jorge Martins Ribeiro po ashtu tha se kjo është një çështje që Tmava mund ta ngrejë në fjalën përfundimtare e jo tani.

“Kjo do të jetë një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes për të mbrojturin tim”, tha Tmava.

Megjithatë, Zogjani iu përgjigj pyetjes së Tmavës. Tha se planin e punës së auditimit e kishte dërguar te Sekretari Permanent para se ky të bëhej ushtrues detyre i sekretarit të përhershëm.

Ai bëri me dije se kishte kërkuar ndihmë për auditim ehe te Ministria e Financave.

“Unë kam kërkuar mbështetje nga Ministria e Financave që në bashkëpunim me Zyrën Evropiane të dërgonin 5 auditorë, por drejtori i Departamentit të Auditimit në Ministrinë e Financave më jep të drejtën që ta kryej auditimin për periudhën sa kam qenë U.D i sekretarit të përhershëm, me kusht që të mos jem i anshëm”, tha Zogjani.

Zogjani shtoi se nuk ushtronte detyrën e sekretarit të përhershëm gjatë gjithë kohës sa ndodhi ndërtimi i parkut në Drenas.

Ai kishte thënë se dikush ia kishte keqpërdorur vulën, duke vulosur me të faturat e shpenzimeve të ndërmarrjes që ndërtoi parkun.

Avokati Tmava e pyeti nëse Zogjani dyshonte se vula i ishte keqpërdorur nga Nexhat Krasniqi.

“Unë asniherë nuk kam thënë me emër se kush e ka marrë vulën nga sirtari, por e vërteta është se unë nuk e kam vulosë faturën” u përgjigj Zogjani.

Seanca do të vazhdojë javën e ardhshme.