Shtyhet Fillimi i Vitit Akademik në Fakultetin e Sigurisë Publike

69 pjesëtarët e institucioneve të sigurisë publike që janë pranuar në Fakultetin e Sigurisë Publike në Vushtrri nuk do të nisin studimet me 1 tetor.

Viti i ri akademik në fakultetin që për herë të parë nisë punën këtë vit, do të fillojë me 15 tetor.

Këtë e ka bërë të ditur zyra për media e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes një komunikate për media.

“Viti i ri akademik 2014/2015, i paraparë të fillojë më datën 01.10.2014, është shtyrë për datën 15.10.2014. Afati i fillimit të ligjëratave është shtyrë për shkak të disa çështjeve teknike”, thuhet në komunikatën e MPB-së.

Fidajete Geci, nga zyra për informim në Fakultetin e Sigurisë Publike, ka thënë për KALLXO.com, se shtyrja e vitit akademik është bërë për shkak se nuk kanë përfunduar të gjitha punimet.

“Shtyrja e fillimit të studimeve në Fakultetin e Sigurisë Publike deri më datën 15 tetor është bërë për arsye se ende nuk kanë përfunduar punimet në amfiteatër, si dhe për shkak se mungojnë disa pjesë të inventarit që është i nevojshëm për studentët”, ka thënë Geci.

Gazeta Jeta në Kosovë, me 15 shtator të këtij viti, pati raportuar se Nazmi Iballi, i cili është asamblist i Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Shtimes është zgjedhur dekan në Fakultetin e Sigurisë Publike në Vushtrri, edhe pse nuk ka thirrje akademike.