LVAN Kërkon Debat në Seancën e 2 Tetorit

Pas takimit të radhës në mes të përfaqësuesve të LAN dhe Vetëvendosjes, lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, tha se në seancën e 2 tetorit duhet të ketë një diskutim në kuvend, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje.

“Është e pakuptimtë ajo mënyrë e mbylljes së seancës me ikje, pa i dëgjuar deputetët. Për shembull, për bllokimin e institucioneve, ngërçin që po quhet, flitet gjithkund në Kosovë, në kafe, në familje, në shkolla, në rrugë, nuk ka vend që nuk flitet, ndërsa nuk flitet në parlament”, tha Haradinaj.

Sipas Haradinajt, nëse do të veprohet përsëri në këtë mënyrë, blloku do të shohë se cila do të jetë mënyra ma adekuate për të vepruar.

Ai ka thënë se blloku e ka planin për të vepruar në seancën e 2 tetorit.

“Pjesa e parë seancës dihet përafërsisht, mund të ketë kandidaturë të PDK-së, dihet si do të përmbyllen, pjesa e dytë kuptohet me rëndësi është që të ketë një diskutim në kuvend, pra të diskutohet që deputetet ta gjejnë një zgjidhje. Unë mendoj që kjo është zgjidhja e vetme”, tha ai.

Haradinaj edhe një herë mohoi mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, në rast të pamundësisë së konstituimit të Kuvendit.

“PDK ka të drejtën vetëm e propozimit në këtë rast, por i zgjedhur është ai që e merr shumicën, shumica është në parlament, parlamenti mund ta gjejë zgjidhjen me rëndësi është që nuk ka zgjedhje. Nuk do të shkojmë në zgjedhje në rast se dështojnë ata që u është dhënë e drejta për të propozuar ”, u shpreh ai.

Edhe deputeti i LDK-së,Ismet Beqiri dhe ai i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, thanë se në seancën e 2 tetorit duhet të ketë debat parlamentar.

“Kemi kërkuar dhe do të kërkojmë përsëri që të kemi debat parlamentar dhe ne si deputetë jemi të thirrur të bëjmë zgjidhje”, tha Beqiri.

I pyetur se cili është opsioni, nëse nuk i jepet mundësia nga ana e kryesueses së seancës, Beqiri tha se nuk mund të tregojë.

“Sot me vjen keq por nuk mund të them cili është opsioni i ynë. Por ka instrumente tjera. Po ju siguroj se do të njoftoheni në mos gjatë seancës, atëherë menjëherë pas seancës sesi do të jenë hapat tonë konkretë”, tha Beqiri.

Sa i përket themelimit të një qeverie gjithëpërfshirëse, Haradinaj ka thënë se qeveria të cilën ata duan ta ndërtojnë është një qeveri e tillë.

“Kuptohet është një qeveri mos me thënë gjithëpërfshirëse, por shumë përfshirëse. Po bëhet fjalë për një shumicë parlamentare shqiptare, bëhet fjalë për komunitetet, por edhe njëherë Kosova dhe qytetarët e këtij vendi kanë nevojë për ndryshim”, shtoi Haradinaj.

Blloku paszgjedhor po ashtu ka mohuar mundësinë e zgjedhjes se një kandidati konsensual për kryeministër.

“Natyrisht që ka, siç ka pasur edhe më herët edhe mund të ketë persona që futen në zarf, por duhet ta kemi të qartë që republika dhe interesat e qytetarëve nuk mund të futen në zarf dhe në këtë drejtim ai personi që sillte zarfe në të kaluarën tash  është i njëjti person që po merr zarfe me para nga Bechteli”, tha Ymeri duke iu referuar ish ambasadorit të SHBA-ve, Christopher Dell, i cili thuhet se dizajnoi një marrëveshje mes liderëve politikë hashim Thaçi, Isa Mustafa e Behgjet Pacolli me të cilën Atifete Jahjaga u zgjodh në postin e Presidentes në pranverë të vitit 2011.