Prokuroritë Themelore Bëhen Me Koordinatorë Për Rastet e Dhunës në Familje

Sipas Ehat Mustafës, anëtar i këtij këshilli, është e rëndësishme që këto raste të merren me urgjencë dhe të trajtohen në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Kjo bëhet vetëm nëse kemi njerëz të cilët ndjekin trajnime dhe specializime për këto raste dhe këto përvoja të tyre të transferohen edhe tek prokurorët e rinj”, tha Mustafa.

Në mbledhjen e sotme, Këshilli miratoi kërkesat e prokurorëve Besim Kelmendi dhe Arbëresha Raça që pas orarit të punës të punojnë si ligjërues në fakultete dhe kërkesat e Prokurorisë Themelore të Gjakovës për caktimin e prokurorëve nga Departamenti i Përgjithshëm për prokurorin Ali Selimaj në Departamentin për Krime të Rënda dhe Xhavit Osmani në Departamentin për të Mitur.

Por Këshilli ka refuzuar kërkesën që prokurori Ismet Ukshini nga Prokuroria e Gjilanit të kalojë nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin e Krimeve të Rënda .

Në këtë mbledhje, Floren Muçaj ka dhënë betimin si anëtar i Këshillit, pasi është propozuar nga një organizatë e shoqërisë civile.

Në mbledhjen e parë në të cilën merrte pjesë, Muçaj ka dalë me një ide që Këshilli Prokurorial ta bëjë një deklaratë për media si reagim ndaj disa gazetarëve që, sipas tij, përmes artikujve të tyre “kanë qëllime tendencioze kundër ndonjë prokurori të caktuar”.

Muçaj tha se Këshilli duhet t’i mbrojë prokurorët normalisht kur ata kanë të drejtë ndaj artikujve që, sipas tij, mund të ndikojnë në demotivim në punën e tyre.

“Këshilli duhet t’i marrë në mbrojtje prokurorët dhe personat e caktuar, normalisht kur ata kanë të drejtë ndaj shkrimeve të caktuara qoftë përmes ndonjë deklarate apo rezolute”, tha Muçaj.

Duke u ndërlidhur me këtë kërkesë, anëtari tjetër i këshillit, Teki Bokshi, ngriti nevojën që Këshilli Prokurorial ta ketë një zëdhënës i cili “në mënyrë profesionale promovon punën e Prokurorisë por edhe reagon ndaj ndonjë deklarate apo artikulli të medieve që mundet ta dëmtojë punën  e prokurorëve”.

“Duhet të lidhemi një aleancë në kuptimin e mirëfilltë afirmimit të prokurorëve dhe prokurorive se sa me pas ndonjë përplasje të çfarëdo lloji”, tha Teki Bokshi.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili gjithashtu është anëtar i këshillit Prokurorial, kërkoi nga anëtarët që të kenë raporte korrekte me mediat.

“Raporti me media duhet të jetë korrekt. Ne lëshimet tona duhet t’i shohim ku janë e sa për komunikata në fund , rrallë ose kurrë”, tha Kuçi.