Rreth 34 Mijë Nënshkrimet Kundër Shtrenjtimit të Rrymës Presin Formimin e Institucioneve

Më 29 gusht në mbledhjen publike Bordi i ZRrE‐së ka marrë vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 5.18 për qind. Vendimi ka hyrë në fuqi prej 1 shtatorit.

Si shenjë pakënaqësie të këtij vendimi, Koalicioni i Qytetarëve Konsumatorë, sindikatave dhe organizatave, këtë të hënë ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve në 10 komuna për të rrëzuar vendimin e ZRrE-së.

Me anë të këtij peticioni organizatorët dhe nënshkruesit kërkojnë nga Kuvendi i Kosovës që përmes një rezolute të anulojë vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që më 29 gusht shtrenjtoi rrymën për 5.18 për qind.

Por, analisti Driton Selmanaj thotë se edhe nëse do të ketë konstituim të shpejtë të Kuvendit, kjo temë mund të shqyrtohet vetëm pas një muaj e gjysmë apo dy, pasi që sipas tij, pas konstituimit të Kuvendit duhet të zgjidhet qeveria dhe të themelohen komisionet parlamentare.

“Kjo çështje normalisht që kërkon kohë sepse pas konstituimit të Kuvendit, më pas fillon procesi i zgjedhjes së qeverisë dhe të konstituohen komisionet parlamentare”, tha Selmanaj.

Kurse, Kushtrim Puka nga Koalicioni i Qytetarëve Konsumatorë, tha se janë në pritje të konstituimit të Kuvendit, në mënyrë që t’i dërgohet peticioni me nënshkrime.

“Ne do të presim formimin e Kuvendit për të dorëzuar peticionin dhe në ndërkohë do ta dorëzojmë edhe të institucionet tjera relevante”, tha Puka.

Sipas tij, peticioni do t’ju dërgohet edhe institucioneve relevante si dhe do të ndjeken edhe rrugë të tjera ligjore si ankimimi në gjykata.

Një numër i saktë i nënshkruesve të peticionit të konsumatorëve pritet të dihet të shtunën, por Puka pret që t’i ketë 34 mijë nënshkrime të qytetarëve.

Edhe Dren Doli nga ky Koalicioni i Qytetarëve Konsumatorë, tha se koalicioni ka një strategji që vendimin e ZRrE-së ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Koalicioni ka edhe një strategji tjetër sipas së cilës ajo do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e ZRrE-së për ngritjen e çmimeve dhe besoj Gjykata Kushtetuese në mënyrë të menjëhershme të mënjanojë pasojat të cilat mund të lindin nga rritja e çmimit të energjisë të cilat kanë filluar të aplikohen nga fillimi i shtatorit”, tha Doli.

Sipas Dolit, ky peticioni ka dy qëllime kryesore.

“E para që në mënyrë të përhershme nëpërmjet një iniciative ligjore me nënshkrimet të cilët janë mbledhur tentojnë të vendosin nënshkrime në legjislacionin e Kosovës të cilat në të ardhmen do t’i pamundësojnë ZRrE-së që në mënyrë arbitrare që të ngrish çmimin e rrymës”, u shpreh Doli.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e ZRrE-së, Adelina Murtezaj, tha për KALLXO.com-in se Bordi i ZRrE‐së është fuqizuar të veprojë i pavarur nga ndikimet politike duke përfshirë këtu edhe ndikimet e mundshme nga institucioni më i lartë legjislativ i vendit, përveç në rastet e ndryshimeve të ligjeve në fuqi.

“Sipas këtyre Ligjeve, Institucioni i vetëm shtetëror që mund t’i ndryshojë apo kufizojë Vendimet e Bordit të ZRRE‐së është gjykata kompetente e cila po ashtu është e pavarur nga degët e tjera të shtetit, në këtë rast nga dega legjislative e shtetit”, shtoi Murtezaj.

Kurse, Kushtrim Puka nga Koalicioni i Qytetarëve Konsumatorë paralajmëron protesta nëse Kuvendi nuk ndërmerr asgjë rreth kësaj nismës legjislative.

“Nëse Kuvendi nuk ndërmerr asgjë rreth kësaj nisme legjislative, përkundër faktit që vetëm deri më tani kemi mbi 30 mijë qytetarë të cilët kanë nënshkruar atë, atëherë ne nuk e përjashtojmë mundësinë e demonstratave qytetare në të gjitha komunat e Kosovës”, shtoi Puka.