Pilotja Arabe Që Po Bombardon ISIS-in

Majorja 35 vjeçare, Mariam Al Mansouri, ishte gruaja e parë që iu bashkua Forcës Ajrore të EBA-ve. Këtë javë, EBA-të iu bashkuan SHBA-ve, Arabisë Saudite, Jordanisë, Katarit dhe Bahrejnit në implementimin e sulmeve ajrore ndaj ISIS.

E lindur në Abu Dabi, Mansouri është një nga tetë fëmijët në familje. Ajo tha për revistën Deraa Al Watan së fundi se familja ia mbështeti synimet e saj në karierë, por asaj iu desh të tejkalojë stereotipet gjinore gjatë rrugëtimit. Kjo duket se i ndihmoi asaj që të diplomojë në shkollën e lartë me 93 për qind të suksesit.

Ajo ndoqi studimet në Universitetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, i pari nga tre universitetet e mbështetura nga qeveria në këtë vend, dhe u diplomua në letërsinë angleze. Ajo diplomoi në Kolegjin Zayed Air në vitin 2007 dhe është një nga pilotet e operacioneve që punon me aeroplanin F-16 Block 60, sipas mediumit të Abu Dabit në gjuhën angleze, The National.

Ambasadori i EBA-ve në SHBA, Yusef Al Otaiba konfirmoi gjatë emisionit të mëngjesit “Morning Joe” se Mansouri udhëhoqi sulmet ajrore.

“Zyrtarisht mund të konfirmoj se misioni sulmues i EBA-ve të hënën në mbrëmje u udhëhoq nga një pilote, Mariam Al Mansouri”, tha Al Otaiba.

“Ajo është plotësisht e kualifikuar, e trajnuar shumë mirë, pilote e gatshme për luftë dhe ajo drejtoi misionin”, u shpreh ambasadori.

Përderisa po bënte trajnimet, Mansouri tha më herët se nuk kishte dallime në ndarjen e detyrave në mes burrave dhe grave dhe se ajo provoi të mos fokusohet në kolegët e saj.