Flora Brovina Synon Ta Thërrasë Seancën Për 2 Tetor

“Unë besoj që do të realizohet kjo datë edhe pse nuk them se është fikse, por jam duke punuar që të realizohet në këtë datë. Deputetët me kohë do ta marrin ftesën dhe subjektet politike”, tha Brovina për KALLXO.com.

Ajo tha se kjo datë është diskutuar me faktorët të cilët “janë të interesuar për mbarëvajtjen e Kuvendit të Kosovës”, por nuk tregoi se kush janë këta faktorë.

Brovina deklaroi se pret që Presidentja Atifete Jahjaga të vazhdojë bisedat me subjektet politike në mënyrë që ta zgjidhë këtë nyje të krijuar tash e tre muaj.

“Unë besoj se punën që ka filluar Presidentja Atifete Jahjaga pas kthimit të saj nga New York, do ta vazhdojë me subjektet politike në Kosovë për ta zgjidhur këtë nyje që akoma nuk po zgjidhet dhe më në fund t’i japin fund kësaj teme të zgjedhjes së Kuvendit dhe kryeparlamentarit”, tha Brovina

Ajo shprehu dëshirë që kësaj radhe të konstituohet Kuvendi dhe të zgjidhet kryetari i legjislaturës.

“Kisha pasë dëshirë shumë, sepse edhe ky mandatimi u zgjat shumë. Në vend se të jetë për 40 minuta po shkon gjatë sa nuk është nevoja”, pohoi Brovina.

Kjo do të jetë hera e tretë që po tentohet të kontituohet Kuvendi i Kosovës dhe të zgjidhet kryetari i saj. Në seancën e fundit PDK-ja propozoi Arsim Bajramin për kryeparlamentar i cili nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për këtë post.