Ndërpritet Mbledhja e Senatit Pas Ndërhyrjes së Studentëve

Irfan Veseli, kryetar Parlamentit Studentor i ka thënë KALLXO.com se kanë kërkuar në mbledhje të senatit që rektorit, Ramadan Zejnullahu të mos i lejohet vazhdimi i punës, pasi sipas Veselit ai është zgjedhur në këtë pozitë jashtëligjshëm.

Ai thotë të kenë kërkuar nga senatori më i vjetër, Bajram Uka që ta udhëheq mbledhjen e senatit në mënyrë që mos ta lejojë rektorin ta udhëheq atë.

Sipas statutit të UP-së, rektori është personi i cili e kryeson mbledhjen e senatit.

Por, sipas Veselit, në mbledhje të senatit kishin ardhur disa protestues të Grupit të Pavarur të Studentëve, të cilët sipas tij kanë improvizuar zgjedhjen e rektorit.

Këtë shfaqje ata e kishin bërë para senatorëve.

Të ndodhur përballë kësaj situate , profesorët që ishin të pranishëm në mbledhje ishin larguar nga salla ku mbahej mbledhja.

Në mbledhje të senatit ishte paraparë që të diskutohej për konkursin e pranimit të studentëve për afatin e dytë të vitit akademik 2014/2015.

Ndërprerja e mbledhjes nga studentët kishte bërë që afati i pranimit të studentëve të shtyhet për ndonjë ditë tjetër.

Parlamenti i Studentëve që nga zgjedhja e rektori Ramadan Zejnullahu ka protestuar vazhdimisht për shkarkimin e tij. Sipas tyre rektori është zgjedhur jashtëligjshëm nga vota e baxhanakut të tij, i cili ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues si dhe e akuzojnë atë për një punim të publikuar në një revistë false.