Të Dyshuarit për Terrorizëm Edhe 48 Orë Prapa Grilave

Kashtanjeva ka thënë se këtij grupi do t’ia caktojë nesër masën e  sigurisë. Prokurori për ta ka kërkuar paraburgim.

16:57

Të Dyshuarit Për Terrorizëm Po Japin Deklaratat

Gjashtë nga të dyshuarit kanë dhënë deri tash deklaratat. Ky proces po vazhdon.

16:37

Pasi u janë marrë shënimet 13 të dyshuarve, ata janë duke dhënë deklaratat në lidhje me kërkimin e masës së paraburgimit për ta nga prokurori.

Të 13-ët dyshohen për pjesëmarrje në grupe terroriste, nxitje të urrejtjes, rekrutim për terrorizëm, shtytje për kryerjen e veprave terroriste dhe thirrje për rezistencë.

Të dyshuarit kanë kërkuar pauzë për faljen e namazit.

14:37

Nis Seanca e Caktimit të Masës së Sigurisë për Imamët

13 nga 15 të arrestuarit e djeshëm kanë dalë para gjykatës para pak çastesh. Në mesin e tyre nuk është imami i Xhamisë së Madhe Shefqet Krasiniqi.

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Prishtinës ka nisur seanca e caktimit të masës së sigurisë për 13 nga 15 të arrestuarit e ditës së djeshme.

Këta persona, njëmbëdhjetë nga ta imamë nëpër disa xhami kosovare,  u arrestuan në aksionin e së mërkurës të zhvilluar nga Policia e Kosovës në disa qytete të vendit.

Ata dyshohen për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë.

Në seancë mbrojtësit po e kontestojnë kompetencën e gjykatës. Aktualisht po ndodh një pauzë prej dhjetë minutash që palët të sqarohen në lidhje me kompetencën.