Enveri në Venedik

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Caroline Godard, asistente e sekretarit të Komisionit të Venedikut.

Përveç Enver Hasanit, Qeveria e Kosovës e ka nominuar edhe gjykatësen tjetër të Kushtetueses Arta Rama – Hajrizi. Kjo e fundit është nominuar si asistente e Hasanit.

Nominimi është bërë më 12 shtator të këtij viti.

Këtë nominim e ka konfirmuar edhe ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Enver Hoxhaj.

Sipas tij nominimi i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese për këtë pozitë është normal, meqë siç tha ai edhe shtetet tjera janë të përfaqësuar nga kryetarët e kushtetueseve përkatëse, si Bullgaria dhe Kroacia.

“Kur e kam pyetur Komisionin e Venedikut se çfarë kriteresh duhet përmbushur për të nominuar dikë nga Kosova, ata më kanë thënë se duhet të ketë qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe akademik. Enver Hasani dhe Arta Rama i kanë përmbushur të dyja, madje edhe kuotën gjinore”, tha Hoxhaj.

Sipas Nenit 1 të statutit të Komisionit të Venedikut, të nominuarit e shteteve duhet të jenë “ekspertë të pavarur që kanë arritur eminencë me përvojën e tyre në institucionet demokratike ose përmes kontributit të tyre në zhvillimin e ligjit dhe shkencës politike”, por askund nuk thuhet se domosdoshmërisht duhet të jenë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

“Anëtarët e Komisionit duhet të shërbejnë në kapacitetin individual dhe nuk duhet t’i nënshtrohen asnjë instruksioni”, thuhet më tutje në këtë nen.

I pyetur se pse është zgjedhur pikërisht Enver Hasani, edhe pas kritikave për afri me PDK-në, Hoxhaj tha se para një jave e kishte kuptuar që nëse nuk dorëzohet një emër gjatë këtyre shtatë ditëve, mund të humbej anëtarësimi.

Një nga nenet e marrëveshjes së koalicionit mes “Vetëvendosjes”, LDK-së, AAK-së dhe NISMA-s është dërgimi i Marrëveshjes me Serbinë në Komisionin e Venedikut, ku tash një votë do ta ketë edhe Enver Hasani.

Gjyljeta Mushkolaj, ish anëtare e Gjykatës Kushtetuese dhe profesoreshë në Fakultetin Juridik është “çuditur me guximin e qeverisë tonë që si qeveri që është në ikje të bëjë një nominim të tillë të rëndësishëm në Komisionin e Venedikut”.

“Duke marrë parasysh që Komisioni i Venedikut ka rol këshillëdhënës para Këshillit të Evropës, i cili ka prodhuar raportin e Dick Martyt e pastaj të Williamsonit, nuk është në rregull që pa pasë kuvend që e mbikëqyrë qeverinë, të dërgojë këtë nominim”, thotë Mushkolaj.

Sipas saj ne nuk e kemi komoditetin të bëjmë nominime të tilla joetike kur siç tha ajo asnjë shtet nuk është i turpëruar para Këshillit të Evropës si Kosova.

Ndërsa Vjosa Osmani nga LDK-ja tha: “Ashtu siç kemi deklaruar edhe në të kaluarën, Qeveria e udhëhequr nga LDK-AAK-NISMA dhe partnerët e tjerë do të rishqyrtojë çdo emërim të bërë nga qeveria në ikje, përfshirë edhe këtë të fundit rreth emërimit në Komisionin e Venedikut”

Komisioni i Venedikut është trup këshillues i Këshillit të Evropës, i cili përbëhet nga ekspertë të pavarur në fushën e së drejtës kushtetuese.

Anëtarët e Komisionit të Venedikut mund të mbajnë në të njëjtën kohë edhe pozitat në shtetet e tyre.

Detyra kryesore e këtij Komisioni është të ofrojë këshilla ligjore për shtetet anëtare dhe në veçanti t’u asistojë shteteve të cilat dëshirojnë qe të jenë në vijë me standardet demokratike.

Më 11 qershor Kosova është pranuar anëtare me të drejta të plota në Komisionin e Venedikut.

Ky komision takohet katër herë në vit në Venedik.