Korea e Veriut e Dënon Amerikanin me 6 Vjet Punë të Rëndë

Në një proces gjyqësor që zgjati rreth 90 minuta, gjykata tha se Mathew Miller nga Bakersfield, Kaliforni, shqeu vizën turistike në aeroportin e Pfenianit me të ardhur më 10 prill dhe pranoi se kishte “ambicie të egra” të të përjetuarit të burgimit të përjetshëm në mënyrë që të hetojë në fshehtësi situatën e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut.

Miller, i cili dukej i hollë dhe i zbehur gjatë gjykimit dhe ishte veshur tërësisht në të zeza, është një nga tre amerikanët që po mbahen në këtë shtet.

Duke mos treguar emocione gjatë tërë procesit, Miller ka hequr dorë nga e drejta për ta pasur një avokat dhe kishte duart e lidhura para se të dërgohej në sallën e gjykimit për ta marrë dënimin. Gjykata, e përbërë nga kryetari i trupit gjykues të cilit i rrinin në krah dy “vlerësues të popullit”, vendosi që të mos dëgjojë ndonjë ankesë ndaj vendimit të marrë.

Më herët qe besuar se Miller ka kërkuar azil kur ka hyrë në Kore të Veriut. Gjatë gjykimit, megjithatë, prokuroria tha se kjo ishte një gënjeshtër dhe se Miller në mëhyrë false tha se ka informacione sekrete për ushtrinë amerikane në Korenë e Jugut në iPad-in dhe iPod-in e tij.

Miller është akuzuar në bazë të Nenit 64 të kodit penal të Koresë së Veriut, i cili në akuzat për spiunim mund të japë dënim prej 5 deri në 10 vjet, përderisa dënime më të ashpra mund të jepen për rastet më serioze.