Jahjaga Kërkon Zgjidhje Pa Ndërhyrje nga Jashtë

Një ditë para vazhdimit të seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, presidentja e vendit Atifete Jahjaga u ka bërë thirrje subjekteve politike të tregojnë pjekuri politike dhe shumë shpejt t’i krijojnë institucionet e vendit.

“Krijimi i shpejtë i institucioneve tona do të garantojë funksionimin demokratik të shtetit, do të tregojë aftësinë tonë për të menaxhuar krizat dhe gatishmërinë tonë për të gjetur vetë zgjidhjet që do të çojnë drejt përmbushjes së pritjeve të qytetarëve tanë”, tha presidentja Jahjaga të enjten në takimin e Këshillit Konsultativ për Komunitete.

E para e vendit, e cila deri më tani ka qëndruar anash në krizën institucionale që po zgjat tash e dy muaj, u ka bërë thirrje subjekteve politike që të bëjnë zgjidhje pa ndërhyrje të institucionit tjetër.

“Garantimi i funksionimit demokratik të institucioneve nuk nënkupton imponimin e zgjidhjeve nga një institucion tjetër dhe aq më pak ndërhyrje për të instaluar praktika jokushtetuese në vendin tonë”, u shpreh Presidentja.

Gjatë këtij takimi Jahjaga tha se duhet të bashkërendohen veprimet për të mirën e vendit por, sipas saj, duhet të ruhet autonomia e secilit institucion.

“Ne duhet të mësohemi të jemi përgjegjës, të përgjegjshëm dhe llogaridhënës përpara qytetarëve tanë. Prandaj, zgjidhjet gjenden në mesin e atyre që kanë marrë votën e popullit, në mesin e atyre që kanë përgjegjësi përpara votuesve të tyre, përpara qytetarëve të Kosovës”, tha Jahjaga.

Presidentja ua ka rikujtuar deputetëve se betimi për të përfaqësuar me dinjitet popullin dhe për të punuar për interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj shtrihet më gjerë. Kjo sipas saj bëhet duke provuar për të gjetur zgjidhje brenda institucionit që përfaqësojnë dhe në kuadër të Kushtetutës.

“Duhet të mësohemi se vetë i gjejmë zgjidhjet, pa kërkuar ndihmën nga jashtë, sepse zgjidhjet na përkasin neve, shtetit tonë dhe së ardhmes sonë”, theksoi presidentja Jahjaga.