Paralajmërimet Për Protesta Nuk e Zmbrapsin ZRrE-në

“ZRrE-ja bashkëndjen me të gjithë konsumatorët për situatën e krijuar energjetike. Por janë ligjet dhe rregullat ato që precizojnë procedurat për marrjen e vendimeve të Bordit të ZRrE-së si dhe apelimin e këtyre vendimeve në instanca të tjera”, tha për KALLXO.com-in, zëdhënësja e ZRrE-së, Adelina Murtezaj.

Sipas Murtezajt, palët e pakënaqura me këtë vendim mund t’i drejtohen gjykatës kompetente brenda 30 ditëve nga data e pranimit të vendimit ose data e publikimit në faqen elektronike të ZRrE-së.

Më 29 gusht në mbledhjen publike Bordi i ZRrE‐së ka marrë vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 5.18 për qind. Vendimi ka hyrë në fuqi prej 1 shtatorit.

Kurse, arsyetimi i ZRrE-së për rritjen e çmimit është për shkak të shpërthimit në Termocentralin “Kosova A”, i cili u mori jetën dy punëtorëve dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale të cilat KEDS-i dhe KEK-u po pretendojnë t’i kompensojnë duke rritur çmimin e energjisë.

Nga ana tjetër, koalicioni i qytetarëve konsumatorë, sindikatave dhe organizatave joqeveritare, kanë bërë një kërkesë ku kanë paraqitur disa arsye pse ZRrE-ja duhet ta anulojë këtë vendim.

“Nëse ZRrE-ja nuk anulon vendimin për rritje të çmimit, koalicioni do të ndërmarrë hapa të tjerë, duke përfshirë format e protestave dhe demonstratave qytetare, pa përjashtuar edhe thirrje për bojkotim të pagesave të faturave”, thuhet në komunikatë.

Kurse Kushtrim Puka nga Forumi për Iniciativë Qytetare (FIQ) në kuadër të rrjetit të organizatave joqeveritare KOSID, thotë se të gjitha këto organizata, shoqata dhe sindikata që janë nënshkruese të kësaj kërkese, u qëndrojnë prapa të gjitha pikave të paraqitura në kërkesë nëse nuk merret parasysh kërkesa nga ZRrE-ja, brenda afatit prej shtatë ditëve.

“Në javën në vijim ky koalicion do të vazhdojë edhe me peticione direkte me qytetarë në të gjithë Kosovën si nismë legjislative për këtë çështje dhe nëse ZRrE-ja nuk tërheq vendimin deri në afatin e caktuar, ne do të vazhdojmë edhe më protesta qytetare në të gjithë vendin”, tha Puka.

Edhe aktivisti Yll Rugova, i cili në vitin 2013 kishte qenë organizator i protestave, nuk e përjashtoi mundësinë e protestave dhe demonstratave, nëse deri të premten ZRrE-ja nuk e tërheq këtë vendim.

“Ne jemi një koalicion i organizatave joqeveritare, konsumatorëve dhe sindikatave të indinjuar me rritjen e fundit të lejuar nga ZRrE-ja, rreth shtatëdhjetë sosh në tërësi. Në rast se nuk kthehet vendimi i ZRrE-së, protestat do të organizohen në koordinim me të gjithë që janë të përfshirë në këtë koalicion dhe me qytetarë të tjerë të pakënaqur”, shtoi Rugova.

Sipas koalicionit të qytetarëve konsumatorë, sindikata dhe organizatave joqeveritare, rritja e çmimit prej 5.18 për qind vjen vetëm dy muaj pas një rritjeje paraprake prej 4.57 për qind duke e bërë rritjen e përgjithshme brenda vitit mbi 10 për qind.