Majlinda Kampione edhe në Rusi

Majlinda pas pesë luftërave të fituara ishte bindshëm më e mira në kategorinë e saj deri në 52 kg, duke mbrojtur kështu titullin e kampiones së botës në kategorinë e senioreve dhe duke sjellë në Kosovë edhe një medalje të artë.

Majlinda në raundin e parë eliminoi xhudisten nga Venezuela, Vanessa Cortesia, dhe atë për vetëm 49 sekonda, në raundin e dytë ajo mposhti mongolezen Bundmaa Munkhbaatar, në raundin e tretë kubanezen, Yanet Bermoy Acosta, të cilën Majlinda e mposhti për vetëm një minutë e tetë sekonda.

Majlinda në gjysmëfinale u ndesh me xhudisten nikoqire, rusen Natalia Kuziutina e cila me gjithë mbështetjen e publikut dhe përvojën e madhe nuk arriti t’i bëjë ballë Kampiones botërore.

Në finale Majlinda mundi xhudisten rumune Andrea Chitu duke fituar kështu kampionatin e dytë botëror radhazi dhe dukë përforcuar edhe më tej pozitën e parë në ranglistën botërore të xhudistëve.