Nisin Sulmet Ajrore Kundër ISIS-it

Artileria ishte përdorur nga ISIS-i për ta futur nën kontroll edhe këtë qytet.

Sulmet i autorizoi kryetari amerikan Barack Obama në emër të dhënies së ndihmës qeverisë irakiane dhe mbrojtjes së popullsisë civile të strehuar nëpër male.

Krahas nisjes së sulmeve po lëshohet edhe ushqim po ashtu nga ajri për popullatën e rrezikuar.

Forcat e ISIS-it po kontrollojnë pjesë të mëdha të Sirisë dhe Irakut. Ata në qershor pushtuan qytetin e dytë për nga madhësia në Irak-Mosulin, ndërsa gjatë kësaj jave morën edhe Qaraqosh-in, qytetin me më së shumti të krishterë në këtë shtet.

Pentagoni njoftoi se sulmet e para i kryen dy aeroplanë luftarakë F/A-18 që hodhën bomba mbi artilerinë lëvizëse të organizatës ekstremiste.

Obama tha të enjten se ISIS-i do të sulmohet nëse kërcënon interesat ose personelin e ShBA-ve në Irak.

Kërcënim të personelit në Irbil sipas The Guardianit përmendi edhe Pentagoni.

“Si e bëri të qartë presidenti ushtria amerikane do të vazhdojë të ndërmarrë veprime direkte kundër ISIS-it, kur ata kërcënojnë personelin ose ndërtesat tona”, tha zëdhënësi i Pentagon-it John Kirby.

Qeveria irakiane kishte kërkuar ndihmë nga Amerika për ta larguar kërcënimin nga kjo organizatë, ndërsa Obama mohoi se forcat amerikane do të rikthehen për ta marrë nën kontroll këtë shtet.

11:02

Amerika Kthehet për të Ndihmuar në Irak

Kryetari amerikan Barack Obama autorizoi sulme ajrore në Irak të enjten, nëse grupi Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit cenon interesat amerikane. Amerika po lëshon edhe ndihma nga ajri për banorët e ikur në male nga ISIS-i.

Amerika vjen për të ndihmuar u tha Obama irakianëve të terrorizuar nga “Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit”, kur tha të enjten se ka autorizuar sulmet ajrore kundër kësaj organizate, nëse ISIS-i prek interesat amerikane.

Obama krahas sulmeve të mundshme nisi edhe fluturimet humanitare, duke lëshuar ushqim nga ajri për banorët që janë strehuar në male të ikur nga ISIS-i.

Obama duke iu drejtuar kombit nga Shtëpia e Bardhë tha se me këto sulme mendohet t’i ndihmohet qeverisë irakiane. Kjo qeveri kur edhe Bagdadi u kërcënua nga ISIS-i kërkoi ndihmën e ShBA-së.

“Më herët gjatë kësaj jave një irakian tha se askush nuk po vjen për të ndihmuar. Pra, sot Amerika po vjen për të ndihmuar”, tha Obama.

Sulmet ajrore ndaj konvojeve të xhihadistëve nuk kanë filuar ende raporton BBC.

Grupi ISIS pushtoi qytetin Qaraposh duke detyruar të krishterët që përbënin shumicën e banorëve të largohen nga ai, pasi i kërcënoi që të zgjedhin mes vdekjes ose ndërrimit të fesë.

Nga qyteti Sinjar po ashtu u larguan shumë nga pjesëtarët e komunitetit religjioz Yazidi, një besim paramonoteist që besohet që është i vjetër 6000 vjet.

Obama tha se druhet që këtyre banorëve të ikur nga shtëpitë dhe qytetet e tyre mund t’u ndodhë edhe gjenocidi.

Kryetari amerikan megjithatë tha se shteti i tij nuk do të kthehet në Irak. Amerika pushtoi këtë shtet në vitin 2003 në kërkim të armëve nukleare që mendohej se i kishte Saddam Hussein, duke e rrëzuar nga pushteti diktatorin irakian.

ShBA-të u tërhoqën nga Iraku në vitin 2011. Në qershor “Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit” që po luftonte në Siri, hyri edhe në Irak duke marrë qytetin e dytë për nga madhësia-Mosulin, të banuar me shumicë kurde.

Shkrimi është bazuar në raportimet nga BBC dhe The Guardian.