Kosova e Shokuar nga Fotografitë Tmerruese të Xhihadistit Lavdrim Muhaxheri

Organeve të sigurisë, Presidentja Jahjaga u ka kërkuar “që të trajtojnë këtë kërcënim për sigurinë e Kosovës me prioritet.”

“Është përgjegjësi e jona si institucione dhe si shoqëri t’i dënojmë këto fenomene të shëmtuara. Ne duhet të distancohemi nga këto akte mizore të kriminelëve, dhe ata duhet t’i denoncojmë dhe t’i trajtojmë si të tillë,” ka thënë ajo.

Fotografitë tmerruese janë shpërfaqin veprimet e Lavdrim Muhaxherit, një shqiptar nga Kosova që lufton krah Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit, ISIS.

Në fotografinë e parë shihet Muhaxheri duke e mbajtur për fyti një person të veshur me uniformë ushtarake, ndërsa në fotografinë e dytë shihet Muhaxheri duke mbajtur kokën e shkëputur në duart e tij.

Fotografitë janë të bashkuara në një kolazh dhe janë postuar në  ballinën e faqes së Muhaxherit në Facebook, me mbishkrimin “Allahu Ekber” (Zoti është i Madhërishëm).”

Muhaxheri ka marrë pjesë vazhdimisht në propagandën e organizatës ISIS si udhëheqës I luftëtarëve shqiptarë brenda këtij grupi militant islamik.

Balkan Insight nuk ka mundur ta vërtetojë autenticitetin e këtyre fotografive.

Sidoqoftë, publikimi i tyre në mediat vendore ka shkaktuar reagim të fuqishëm nga politikanët dhe publiku.

Përmes një postimi në rrjetin Facebook, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka akuzuar Muhaxherin për shpërndarje të urrejtjes fetare.

“..Feja ka marrë përmasa të manifestimit me uniforma dhe mjekra që më së paku u përngjajnë qytetarëve tanë e me individë që në vend të misionit të besimit në zot e dashurisë për njerëzimin, mbjellin urrejtje fetare e gjinore, vrasin njerëz e presin koka duke u thirr në Allahun,” ka shkruar Mustafa.

Mustafa ka thënë që nuk është e mjaftueshme që njerëzit ta distancojnë vetën “nga individët dhe aktet e tyre të llahtarshme”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se “nuk ka ndonjë dallim në mes Muhaxherit dhe një bishe”.

“Ai duhet të ketë çrregullime të rënda psikike,” ka thënë Rexhepi.  “Ne kemi lëshuar një fletarrest ndërkombëtar për të,” ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Pjeter Karaqi, një qytetar i besimit të krishterë nga Gjakova, thotë se “muslimanët e vërtetë nuk bëjnë gjëra të tilla”.

“Shokët dhe kolegët e mi muslimanë nuk janë si Lavdrimi.  Ata nuk i përkrahin veprimet e tij. Mendimi im është se ajo çfarë Lavdrimi ka bërë është e keqe dhe e gabuar”, thotë ai.

Kurse Esat Gashi nga Peja, thotë se “Lavdrimi duhet të përballet me drejtësinë në rast se ai kthehet ndonjëherë në Kosovë.”

Dhjetëra komentues në Facebook kanë dënuar ashpër Muhaxherin, duke e quajtur atë si armik të fesë islame dhe terrorist.

Në një postim të mëvonshëm, Muhaxheri thotë se komentuesit armiqësor “nuk e dinë çfarë ka ndodhur,” dhe kërkon nga Zoti që t’i mallkojë ata.

Organizata Shteti Islam I Irakut dhe Shamit është formuar në fillet e luftës në Irak.  Kjo organizatë u zotua se do t’i qëndroje besnike Al Kaidës në vitin 2004, duke u bërë e njohur si Al Kaida në Irak.

Më 29 qershor, grupi militant shkurtoi emrin e organizatës në “Shteti Islamik”, duke nënvizuar kështu ambiciet globale që tejkalojnë territorin që ajo e kontrollon aktualisht.

Qendra Ndërkombëtare për Studime të Radikalizmit, ISRA, e ndodhur në kolegjin King në Londër, beson se rreth 300 shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria i janë bashkuar grupeve të lidhura me Al Kaidën në Siri, përfshirë organizatën Jabhat al-Nusra dhe Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit, ISIS.

Autoritetet shqiptare kanë arrestuar tetë persona në muajin mars, përfshirë dy imamë radikalë, të dyshuar që kanë bërë rekrutimin e xhihadistëve shqiptarë në grupet militante në Siri.  Një numër i të rekrutuarve të dyshuar janë arrestuar po ashtu edhe në Kosovë.

Në ngjarje të tjera të lidhura me Lindjen e Mesme, një person nga Ferizaj është raportuar se ka qenë prapa sulmit vetëvrasës me bombë në Irak, që mori jetën e së paku 25 personave.