Lumenj e Liqene në Rrugët dhe Sheshet e Gjilanit

Një rrebesh i madh shiu i ka shndërruar sot rrugët dhe sheshet e Gjilanit në lumenj dhe liqene.

I gjithë rajoni i Ballkanit është duke u përballur me mot të lig dhe KALLXO.com ka raportuar dje për alarmet që janë ngritur në shtetet rreth Kosovës.

Fotografitë nga Gjilani të publikuara nga agjencia rajonale e lajmeve Rajonipress tregojnë përmasat e shiut i cili filloi të bjerë sot paradite ndërsa uji i të reshurave mbuloi çdo gjë brenda një kohe të shkurtër.

Autoritetet komunale kanë konfirmuar se shiu që ka rënë ka vështirësuar qarkullimin automjeteve por edhe të këmbësorëve, duke shkaktuar një kaos në qarkullim.

Shërbimi emergjent lokal thuhet të jetë aktivizuar për ta lehtësuar qarkullimin.

Komuna e Gjilanit ka bërë të ditur se kryetari Lutfi Haziri ka urdhëruar të gjitha instancat komunale duke aktivizuar të gjitha shtabet emergjente që përfshinë Komunën e Gjilanit, Drejtorinë për emergjenca, zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe organet e tjera, “për të menaxhuar sa më mirë dhe me efikasitet gjendjen pas reshjeve të mëdha të shiut”.

“Të gjithë qytetarët të cilët kanë probleme me reshjet e shiut luten të lajmërohen në numrat e emergjencave dhe menjëherë shtabet emergjente do të intervenojnë. Numrat të cilët mund të telefononi pa pagesë janë: 193, 112, 194 dhe 192”, thuhet në komunikatën e komunës së Gjilanit.