LDK-AAK-NISMA Pret që Kushtetuesja ta Refuzojë Kërkesën e PDK-së

Në një kërkesë tjetër, ky bllok politik ka kërkuar që t’i jepet mundësia që t’i parashtrojë komentet e veta në një seancë dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese.

Dokumenti 26 faqësh i partive që kanë lidhur marrëveshje koalicioni paszgjedhor vijnë pas ankesës së PDK-së me të cilën kundërshtohet zgjedhja e Isa Mustafës në krye të Kuvendit në seancën e 17 korrikut.

Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, i cili dorëzoi sot komentet në Gjykatën Kushtetuese, tha se pret që anëtarët e gjykatës të jenë të paanshëm në trajtimin e kësaj lënde.

“Presim që Gjykata Kushtetuese të jetë e paanshme dhe të trajtojë me seriozitet dhe përgjegjësi të plotë lëndën që ka përpara. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese do ta pranojmë”, u shpreh Shala.

“Mendojmë se kërkesa e PDK-së është e pabazuar dhe ne mendojmë se në këtë rast Gjykata Kushtetuese nuk ka një objekt kushtetues për trajtim”, tha ai.

Shala u shpreh se nuk e di kur do të dalë Gjykata Kushtetuese me një vendim, por shprehu dëshirën që ky vendim të mos vonohet.

“Ne do të dëshironim që vendimi të merrej shumë më shpejt meqë për shkak të masës së përkohshme të pezullimit që ka vënë Gjykata Kushtetuese është krijuar një vakum institucional dhe ne dëshirojmë që kjo situatë të kalohet sa më shpejt”, tha ai.

Në dokumentin e dorëzuar, grupi i deputetëve LDK- AAK- NISMA pretendon se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është bërë në mënyrë të ligjshme, në praninë e dy të tretave të deputetëve të pranishëm në seancë.

Disa ditë pasi PDK e dorëzoi ankesën e vet, Gjykata Kushtetuese urdhëroi masën e pezullimit të veprimtarisë së kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit, Isa Mustafa.